
Departamenti i Shtetit i SHBA-së, ka miratuar shitjen e mundshme, në Kuvajt, të helikopterëve Apache, dhe pjesëve të këmbimit për sistemin raketor Patriot, në dy marrëveshje të veçanta. Reuters raporton se këto mund të kenë një vlerë prej 4.2 miliardë dollarësh, sipas asaj çka tha Pentagoni, të martën.
Qeveria e Kuvajtit kishte kërkuar të blinte tetë helikopterë sulmues AH-64E Apache Longbow, dhe përmirësimin e 16 helikopterëve të tyre aktualë AH-64D Apache Longbow Attack, në konfigurimin AH-64E, tha Pentagoni.
Nëse marrëveshja realizohet, ajo mund të ketë një vlerë prej 4 miliardë dollarë për helikopterët dhe 200 milionë dollarë për pjesët e këmbimit dhe trajnimit për sistemet e tyre të përmirësuar të mbrojtjes raketore Patriot, tha Pentagoni në një deklaratë.
Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes së Pentagonit njoftoi Kongresin për shitjen e mundshme, të martën. Pavarësisht nga miratimi, njoftimi nuk tregon që një kontratë është nënshkruar apo që negociatat kanë përfunduar.
Pentagoni tha se prodhuesit e armëve të lidhur me shitjet ishin Boeing Co, Lockheed Martin Corp, General Electric dhe Raytheon Technologies. (A2 Televizion)