Një sipërmarrës amerikan i teknologjisë ka vendosur të sfidojë moshën e tij duke u përpjekur të kalojë nga mosha kronologjike 45-vjeçare në aftësitë fizike të një 18-vjeçari. Bëhet fjalë për manjatin Bryan Johnson, i cili investon 2 milionë dollarë në vit për të riprojektuar trupin e tij, sipas një protokolli të rreptë ditor dhe monitorohet nga një ekip mjekësh të specializuar.
Misioni i Bryan Johnson është të rivendosë organet e tij, përfshirë trurin, në moshën 18-vjeçare. Ai vendosi ta quante projektin “Blueprint” dhe të bëhej vetë kavie. Ideja i lindi gjatë pandemisë si një reagim ndaj një depresioni të rëndë që e kishte shtyrë atë të ndjente instinktet vetëvrasëse.









Sipërmarrësi u bë i pasur pasi shiti në eBay “Braintree payment solutions” për 800 milionë dollarë. Tani ai investon dy milionë dollarë në vit të aseteve të tij për t'u rinuar. Johnson përdor përvojën e mjekut rigjenerues Oliver Zolman i cili së bashku me një ekip prej rreth tridhjetë mjekësh dhe ekspertësh studiojnë trupin e tij dhe kryejnë eksperimentet e duhura.
Për momentin, trupi i Johnson duket pesë vjet më i ri, zemra e tij tridhjetë e shtatë vjet, lëkura e tij njëzet e tetë, ndërsa qëllimi për t'u rikthyer në 18 vjeç është tashmë për kapacitetin e mushkërive dhe aftësinë fizike.
Për të fituar betejën e tij personale kundër kohës, Johnson zgjohet në 5 të mëngjesit, merr rreth njëzet suplemente në ditë, ndjek një dietë të rreptë vegane me saktësisht 1977 kalori, duke u siguruar që nivelet e yndyrës në trup të mbeten nën 6%. Katër herë në javë stërvitet në mënyrë të moderuar, ndërsa në tri ditët e mbetura shton intensitetin. Mjekët e tij monitorojnë temperaturën e trupit të tij, glukozën në gjak, rrahjet e zemrës, nivelet e oksigjenit gjatë gjumit dhe peshën e kockave.
Manjati i teknologjisë së lartë i nënshtrohet impulseve elektromagnetike për të përmirësuar tonin e muskujve dhe mban syze blu që bllokojnë dritën për dy orë para se të flejë. Çdo trajtim regjistrohet dhe studiohet nga ekipi i tij i profesionistëve dhe nga ai vetë. (A2 Televizion)