
Fundjava e Halloween-it është shoqëruar me një valë dhune në disa qytete të Shteteve të Bashkuara, ku të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulme të ndryshme me armë zjarri.
Ngjarjet janë regjistruar në disa shtete amerikane, ndërsa disa prej sulmeve kanë ndodhur në zona të frekuentuara nga qytetarët dhe pranë ambienteve të argëtimit.
Sulmi më i rëndë u regjistrua në Dallas, Teksas, ku katër persona u vranë dhe 15 të tjerë mbetën të plagosur pas tre episodeve të ndara me armë zjarri në lagjen Deep Ellum. Policia po heton nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, ndërsa deri më tani janë kryer disa arrestime.
Një tjetër viktimë u shënua në Birmingham, Alabama, ku një person u vra dhe tetë të tjerë u plagosën nga të shtënat pranë stadiumit Legion Field. Ngjarja ndodhi pas një ndeshjeje futbolli amerikan. Policia ka shoqëruar një person për t'u marrë në pyetje dhe ka sekuestruar disa armë.
Të shtëna me armë zjarri u raportuan edhe pranë kampusit të Universitetit të Delaware, në Newark, ku gjashtë persona mbetën të plagosur.
Ndërkohë, në Bloomington, Illinois, një 19-vjeçare humbi jetën dhe shtatë persona të tjerë u plagosën nga një sulm me armë pranë një universiteti.
Në Fayetteville, Arkansas, gjashtë persona u transportuan në spital me plagë nga armët e zjarrit. Sipas policisë, përpara të shtënave dyshohet se kishte pasur një konflikt mes personave të përfshirë.
(A2 Televizion)