
Paaftësia për të paguar në kohë faturat dhe detyrimet e tjera prek jo vetëm bashkitë, por edhe qeverinë, madje në një vlerë shumë më të lartë.
Ministria e Financave raporton krahas detyrimeve prej 6,2 miliardë lekëve të pushtetit vendor, edhe 4,8 miliardë lekë të pashlyera nga ministritë.
Por, kjo shumë prej 11 miliardë lekësh nuk është gjithçka që entet publike u detyrohen biznesit, tatimeve apo individëve. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), ka mjaft parregullsi në ato çfarë institucionet deklarojnë në lidhje me detyrimet e prapambetura dhe për këtë arsye, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave.
Vetë shifra që financat deklaronin në fund të 2018-s ka një diferencë të thellë me llogaritë që bën vetë KLSH. Duke përfshirë vonesat në rimbursimin e TVSH-së dhe detyrimet për vendimet gjyqësore ndërkombëtare, institucioni auditues llogarit se totali i detyrimeve i afrohet vlerës prej 60,3 miliardë lekësh, apo rreth 489 milionë euro.
Mosshlyerja në kohë e këtij borxhi, sipas KLSH, ka një ndikim direkt në ngadalësimin e rritjes ekonomike, për sa kohë bizneset pushojnë ose shtyjnë aktivitetin e tyre nga këto vonesa në pagesa. (A2 Televizion)