
Ligji për sinjalizuesit, nisma e imponuar kryesisht nga ndërkombëtarët ndaj qeverisë për të mbyllur shtigjet e korrupsionit dhe rritur transparencën, mund të konsiderohet e dështuar. Pas më shumë se katër vitesh nga hyrja në fuqi, të dhënat nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave tregojnë se vetëm 47 punonjës në administratën publike raportuan raste të dyshuara korrupsioni.
Gjithashtu, në harkun kohor 2016-2020, vetëm 6 sinjalizues kërkuan mbrojtje nga frika e hakmarrjes. Për Artida Kolmarkun, juriste dhe pjesë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, organizatë e cila ka monitoruar nga afër këtë proces, zbatimi i një nisme të tillë duhet të ishte paraprirë nga sesione të mirëfillta informimi dhe organizim më të mirë të kompetencave.
Në një vend me demokraci të brishtë si ajo jona, që një praktikë e tillë ku një nëpunës i sektorit publik apo privat denoncon një rast korrupsioni të funksionojë, për Kolmarkun duhen riparë disa hallka n këtë proces.
Ligji “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve”, njohur gjerësisht edhe si“bilbilfryrësit” është një praktikë e zbatuar në shumë vende perëndimore. Për përfaqësues të bashkimit Europian, zbatimi i saj do e ndihmonte Shqipërinë në procesin e integrimit në union. (A2 Televizion)