Në “Off the Record” me Andrea Dangllin, demokrati Ilir Alimehmeti foli dhe për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në disa bashki, të cilat sipas tij do të shpallen shumë shpejt nga presidenti Begaj.
Për Alimehmeti, opozita do e ketë të vështirë të organizohet për këto zgjedhje për shkak të kohës së shkurtër, teksa shtoi se subjekti ku ai merr pjesë duhet të riorganizohet sa më shpejt.
Alimehmeti gjithashtu shtoi se objektivi i opozitës nuk duhet të jetë karrigia por suksesi i forcës.
“Gara e vërtetë politike e PD është 2027. Jo se nuk kanë rëndësi zgjedhjet e parakohshme. Por që të bësh riorganizim do kohën e vet. Bajrami Begaj kaq priste dhe dekreton zgjedhjet dhe për 45 ditë je në fushatë. Koha mungon këtu.
Të gjitha strukturat në prill maj hyjnë në proces votimi. Ka pas një ndarje mes trupës në parlament dhe trupën që organizon forcën politike. Duhet të ketë një trupë të veçantë që merret me riorganizimin. Nuk mendoj se do ketë një parlament të lehtë këto vite.
Po nuk bëmë riorganizimin në zgjedhje nuk hyjmë të përgatitur. Objektiv nuk duhet të jetë karrigia, por mundësia për të pasur shansin e suksesit”, tha Alimehmeti në A2 CNN. (A2 Televizion)