
Emigrantët e paligjshëm që kalojnë kanalin anglez do të vendosen në anije lundrimi që më parë kanë shërbyer si kroçera, në skemën që përbën një risi për planet e Rishi Sunak në trajtimin e krizës së azilkërkuesve.
Home Office do të strehojë rreth 1000 emigrantë në bordin e dy anijeve, të cilat me shumë gjasë do të ankorohen në Merseyside dhe Teeside.
"Për të reduktuar presionet mbi komunitetet lokale, ne gjithashtu do të strehojmë njerëz në anije. E para do të arrijë në Portland në dy javët e ardhshme. Dhe ne kemi siguruar dy të tjera sot që do të strehojnë 1000 të tjerë", tha kryeministri Rishi Sunak në një fjalim në Dover të hënën.
Emrat e anijeve dhe vendndodhjet mbahen të fshehta, por gjasat janë që MS Victoria, e cila është përdorur për strehimin e përkohshëm të refugjatëve ukrainas në Skoci, të jetë e disponueshme për një skemë të ngjashme në javët e ardhshme.
Pati raportime në prill se Home Office ishte në negociata me operatorët e portit Birkenhead, ndërsa diskutohet që Teesport, pranë Middlesborough, të jetë një pretendent.
Sakaq, MS Victoria është ankoruar në Leith, Edinburgh, por thuhet se do të jetë e lirë nga mesi i korrikut. Ajo çka tërheq vëmendjen është se anija përbëhet nga një kinema, skenë argëtimi, klub nate dhe dhoma luksoze, megjithëse nuk është e qartë nëse janë bërë ndryshime për qëllimin aktual.
Burimet qeveritare thanë se njoftimet mbi detajet janë duke u përpiluar, ndërsa kjo do të ishte e para herë që emigrantët që kalojnë kanalin anglez do të vendosen në anije lundrimi.
Disa refugjatë ukrainas në MS Victoria kanë lavdëruar objektet, duke vënë në dukje kinemanë dhe kabinat e rehatshme. Të tjerë janë ankuar për korridore të ngushta. (A2 Televizion)