Dialogu Kosovë-Serbi, Grenell: Palët takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor

Nga A2 CNN
15 Qershor 2020, 23:20 | Aktualitet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë marrë në dorë drejtimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si dhe gjetjen e një marrëveshjeje finale. I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, për negociatat mes dyja vendeve konfirmoi një takim me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë mes delegacionit të Prishtinës dhe atij të Beogradit. Richard Grenell konfirmoi se palët kanë bërë lëshime për këtë rikthim në tryezën e bisedimeve. “Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht të ndalohet fushata për tërheqjen e njohjeve dhe kërkesa për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”, deklaroi ai. Grenell shtoi se çdo gjë do të kthehet siç ishte më përpara nëse secila palë do të dalë e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit. Ai nënvizon se fokusi do të jetë në përparimin dhe rritjen e ekonomive përkatëse. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka komentuar lajmin e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve duke mirëpritur ftesën për rifillimin e dialogut. Kreu i shtetit thotë se udhëheqja dhe mbështetja amerikane kanë qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos