Alarm në inteligjencën amerikane, jashtë funksionit rrjeti sekret i NSA-së që përdoret për komunikimet e brendshme

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2026, 19:21 | Bota

Alarm në inteligjencën amerikane, jashtë funksionit rrjeti sekret

Rrjeti shumë sekret që përdor Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA) për komunikimet e saj të brendshme është jashtë funksionit, bëjnë të ditur gjashtë persona të njohur me çështjen.

Rrjeti, i quajtur NSANet, u mundëson punonjësve të shkëmbejnë brenda institucionit informacione të klasifikuara. Deri më tani, nuk ka asnjë provë që problemi të jetë shkaktuar nga një sulm kibernetik, thanë burimet.

Ndërsa agjencia po përpiqet të kuptojë përmasat e problemit, ajo ka vendosur që punonjësit të paraqiten në punë me orare të ndryshme, thanë burimet.

CNN i ka kërkuar Agjencisë së Sigurisë Kombëtare një koment lidhur me situatën.

“Ne nuk shohim asnjë provë se kjo ishte një sulm kibernetik. Nuk ka asnjë krizë apo diçka të ngjashme për të cilën amerikanët duhet të shqetësohen”, deklaroi të martën për Newsmax zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis.

Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan thanë se ndërprerja e funksionimit të NSANet nuk do të ndikonte në aftësinë e agjencisë për t'i përcjellë informacione urgjente të inteligjencës presidentit Donald Trump, ndërsa ai ndodhet në udhëtim në Azi me avionin presidencial Air Force One.

Të dy burimet përshkruan disa sisteme rezervë dhe rrjete alternative që qeveria mund të përdorë për të komunikuar në mënyrë të sigurt me presidentin, i cili ndodhet aktualisht në Filipine, përpara se të udhëtojë nesër drejt Kinës, ku do të zhvillojë bisedime me liderin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Ndërprerja e funksionimit të rrjetit në agjencinë më të fuqishme të inteligjencës amerikane vjen pas disa problemeve të mëdha teknologjike që kanë prekur linjat ajrore dhe kompani të tjera në të gjithë vendin.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos