“Armik keni Ramën”, Bledian Koka thirrje protestuesve: Bashkohuni me opozitën për ta rrëzuar!

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2026, 20:36 | Politikë

Gazetari Bledian Koka u ka bërë thirrje protestuesve dhe të gjitha forcave opozitare që të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Koka deklaroi se pavarësisht divergjencave mes forcave opozitare, e rëndësishme është që ato të kenë të njëjtin objektiv politik. Sipas tij, armiku kryesor i opozitës është kryeministri Edi Rama, të cilin e akuzoi se kontrollon dhe përdor sistemin për qëllimet e tij.

“Ne nuk duhet të shqetësohemi kur ka divergjenca mes forcave opozitare. E vetmja gjë që duhet të shqetësohemi është kur shikojmë nëse kanë ose jo të njëjtin objektiv forcat opozitare. A e kuptojnë forcat opozitare, bashkë me lëvizjen dhe me protestën, që këtu armiku kryesor është ai që kontrollon sistemin dhe e shtyp sistemin dhe e përdor atë për qëllimet e veta?! Ky është Edi Rama”, u shpreh Koka.

Gazetari tha se nuk kërkon që një parti e vetme të ketë ekskluzivitetin e opozitëbërjes, por që të gjitha forcat kundërshtare të qeverisë të bashkëpunojnë. Ai vlerësoi gjithashtu deklaratën e mjekut Ermal Pashaj, i cili në të njëjtin emision la të hapur mundësinë e bashkëpunimit të lëvizjes së protestës me forcat opozitare. Koka theksoi se ky bashkëpunim mund të konkretizohet edhe në zgjedhjet vendore, përmes kandidatëve të përbashkët.

“Më bëhet qejfi që e dëgjoj përfaqësuesin e protestës, zoti Pashaj, që thotë se nuk e përjashton mundësinë për të biseduar me forcat opozitare. Ky është lajm shumë i mirë sot. I gjithë faktori opozitar, kur të vijë momenti për të bërë atë që është një betejë delikate politike, të jetë i qartë. Një bashkim i sinqertë i forcave opozitare, në këtë rast në zgjedhjet lokale, me kandidatë të përbashkët, mund dhe duhet të bëjë ndryshimin”, deklaroi Koka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos