Mjeku Ermal Pashaj ka deklaruar se lëvizja e protestës mund të nxjerrë një kandidat të saj për Bashkinë e Tiranës, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe forcat e tjera politike.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Pashaj u shpreh se kjo lëvizje nuk synon të përjashtojë partitë politike, por të krijojë një alternativë të re, e cila të gjejë mbështetje më të gjerë.
“Besoj që do të shkojmë drejt daljes së një kandidati të lëvizjes së protestës. Unë nuk po them që kjo është një lëvizje apo një realitet që do të përjashtojë asnjë nga partitë. Jo vetëm për kontekstin e PD-së, por për të gjithë realitetin në jetën politike të vendit. Është një frymor i ri që ka nevojë të gjejë mbështetje”, deklaroi ai.
I pyetur se ku do të ulen për të biseduar me kreun e PD-së, në shesh apo në burgun 313, ku protestuesit kanë kërkuar që Berisha të përfundojë, Pashaj tha se këtë do ta tregojë koha.
“Koha do ta tregojë. Sa i përket uljes te sheshi apo 313-ta, këto janë disa fabula të recituara edhe gjatë protestës, për shkak të luftës me modelin e politikëbërjes. Kjo nuk do të thotë që sheshi do të gjykojë kush do të hyjë në burg dhe kush jo. Sheshi kërkon që të vendosen para drejtësisë, por nuk vendos sheshi se ku do të ulen”, u shpreh Pashaj.
Në vijim, ai tha se lëvizja duhet të mbështetet te studentët dhe universiteti, duke vlerësuar rolin e tyre në sjelljen e ndryshimeve. (A2 Televizion)