
Gjatë vitit të kaluar nuk pati asnjë rezultat konkret. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kaloi vetëm me dy takime të niveli të lartë në Bruksel, ndërsa mosmarrëveshjet mes palëve shuan shanset për një marrëveshje finale. Lëvizja Vetëvendosje pretendon se bisedimet janë kthyer në binarë nën qeverinë e Albin Kurtit.
“Ne nuk kemi qenë bllokuesit, ne jemi për dialog, pasi kemi shumë çështje të pazgjidhura meta, siç është çështja e të pagjeturve dhe shumë gjëra të tjera. Ndërkohë, ne kemi shkuar me propozime konkrete, ne nuk jemi bllokuesit, bllokuesi nuk propozon. Në vend të asociacionit me kompetenca ekzekutive, kemi propozuar Këshillin Nacional për Serbët në Kosovë. Në këtë rast mospajtimi nuk do të thotë se është bllokim. Këtë kuptim negociatat me Serbinë do të vazhdojnë, por jo duke pranuar çdo koncesion që ka qenë mënyrë e të vepruarit deri më tani të qeverive të kaluara”, u shpreh Arbër Rexhaj, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.
Opozita akuzon qeverinë Kurti për mungesë të një agjende konkrete për dialogun. “Konsideroj se paaftësia e qeverisë, apo mungesa e një agjende konkrete në dialog, e ka kthyer Kosovën prapa në shumë çështje. Ne e pamë se edhe skenat dhe filmat që i bëri zotëri Kurti në veri vetëm sa i kushtuan Kosovës, pasi nuk bëri asgjë. Marrëveshjet që më herët i ka quajtur të dëmshme, tash thotë se janë të suksesshme. Është shumë konfuz qeveria”, tha Hajdar Beqa, deputet i PDK.
Analistët e konsiderojnë procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian si të paqëndrueshëm dhe të brishtë.
“Dialogu është ende një proces fragjil dhe ende nuk e ka atë pajtueshmërinë e dy palëve për të shkuar tutje për gjetur një marrëveshje ose arritjen e një kompromisi nga dy palët. Kemi pa edhe një BE që nuk ka qenë e aftë për të shtyrë përpara procesin ose për t’i bindur palët që të jenë në tavolinën e diskutimit ose afruar diçka palët”, tha Arbër Fetahu, grupi për studime juridike dhe politike.
Edhe gjatë këtij viti, Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë pritet që të jetë “patatja e nxehtë” që mund të bllokojë dialogun. (A2 Televizion)