
Ylli i Hollivudit, Leonardo DiCaprio, ka falënderuar të gjithë aktorët që punuan për shpalljen Park Kombëtar të Lumit të Vjosës.
“Sot u shkrua historia. Bashkëpunimi mes qeverisë së Shqipërisë, shoqërisë civile dhe biznesit ka krijuar Parkun e parë Kombëtar në një “lum të egër”. Lumi i Vjosës do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Ky është një vizion i ri për ruajtjen e ujërave globalë. Përgëzime për gjithkënd që e bëri realitet këtë përpjekje të jashtëzakonshme!”. Shkroi DiCaprio në një postim në rrjetet e tij sociale.
Të mërkurën, me vendim të qeverisë, Lumi i Vjosës u shpall zyrtarisht Park Kombëtar, vendim që ishte paralajmëruar prej disa kohësh. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se sipërfaqja e mbrojtur është shtrirë tashmë në mbi 12 727 hektarë, e gjithë sipërfaqja ujore dhe bregore e lumit bashkë me sipërfaqe të tjera tokësore.
Në një intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN, Kumbaro zbuloi edhe disa detaje sesi u arrit deri te ky vendim.“Është një bashkim forcash i shumë aktorëve dhe proces i gjatë. Ka vite që flitet për Vjosën, nga shoqëria civile deri te shkencëtarë vendas e të huaj, që e kanë konsideruar Vjosën si laborator natyror, ku gjallojnë specie të ndryshme. Por, unë do të shtoja se një pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi janë njerëzit që kanë banuar pranë lumit”, deklaroi Kumbaro.
Kumbaro theksoi se tani nis ndarja e zonave, me organizatën kombëtare të zonave të mbrojtura dhe me partnerët amerikanë, ku do të tregohet se ku lejohet peshkimi, ku lejohen sportet ujore apo ku mund të zhvillohet agroturizmi. “Koncepti ynë është ai i një zhvillimi të qëndrueshëm. Duhet t’i japim mundësi bashkive që janë pranë Vjosës për të përfituar nga agroturizmi dhe ekoturizmi”, tha ministrja e Mjedisit dhe Turizmit.
Kur u pyet se si do të ruhet ky park kombëtar, Kumbaro u përgjigj: “Detyra për ta ruajtur është e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Nuk e fsheh që kapacitetet që kemi gjetur aty nuk janë të mjaftueshme në krahasim me rritjen e territorit të mbrojtur. Pjesë e planit të menaxhimit është krijimi i një drejtorie të re rajonale të dedikuar për Vjosën. Kjo ka një kosto të shtuar, por shkon paralel me rëndësinë që i japim Vjosës”. (A2 Televizion)