Fshehu të ardhurat, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq Xhensila Myrtezajn

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2026, 11:15 | Kronikë

Fshehu të ardhurat, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq këngëtaren Xhensila Myrtezaj për fshehje të të ardhurave dhe evazion fiskal mbi 6 milionë lekë.

Sipas hetimeve, ajo dyshohet se ka shmangur detyrimet tatimore në vitet 2023 dhe 2024, përkatësisht 2.4 milionë dhe 3.6 milionë lekë.

Depozitimet e konsiderueshme cash dhe transaksionet me pasuri të paluajtshme nuk justifikoheshin plotësisht nga të ardhurat e deklaruara.

Prokuroria e akuzon për veprën penale të fshehjes së të ardhurave, të kryer më shumë se një herë. Kur ka nisur hetimi, këngëtarja ka pasur mbiemrin Kallaku.

NJOFTIMI I PROKURORISË PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË

Fshehu të ardhurat më shumë se një herë duke shkaktuar mbi 6 milionë lekë evazion fiskal, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasen Xh.K.    

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen Xh.K., akuzuar për veprën penale ‘Fshehje e të ardhurave’ konsumuar më shumë se një herë parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimit penal nr.5824/ 2024, në analizë të të gjithë informacioneve, verifikimeve dhe veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se shtetasja Xh.K., është implikuar në kryerjen e veprës penale "Fshehja e të ardhurave", parashikuar nga neni 180 i K.Penal, pasi rezulton e përfshirë në transaksione me pasuri të paluajtshme me burime të pajustifikuara fondesh, depozitime të konsiderueshme "cash" të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara prej tyre, si dhe tërheqje të konsiderueshme "cash" për të cilat nuk ka informacion mbi mënyrën e përdorimit. Për të justifikuar derdhjet cash shtetasja Xh.K., ka dorëzuar një letër të thjeshtë ku deklaron se ka gjeneruar të ardhura nga koncertet brenda dhe jashtë vendit, por ato justifikohen vetëm pjesërisht.

Nga tërësia e akteve të administruara si dhe referuar aktit të ekspertimit kontabël, provohet se e pandehura Xh.K., për vitin 2023, ka shmangur nga detyrimi tatimor (evazion fiskal) e llogaritur nga eksperti shumën totale 2 417 311 Lek. Ndërsa për vitin 2024, ka shmangur nga detyrimi tatimor të llogaritur nga eksperti shumën totale 3 658 210 Lek.

Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u provua se nga e pandehura është realizuar shmangia nga detyrimi tatimor në dy vite të ndryshme kalendarike të veçanta, ku secili vit përmban fshehjen e qëllimshme të të ardhurave, e në këto rrethana veprat penale janë kryer të pavarura me njëra-tjetrën.

Sa më sipër në bazë të akteve të administruara dhe te analizuara provohet se shtetasja   Xh.K., ka konsumuar veprën penale “Fshehje e të ardhurave” dy herë, parashikuar nga neni 180/1 i K. Penal dhe çështja në ngarkim të saj dërgohet për gjykim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos