Në “Debat” mbrëmjen e kësaj të marte bëjmë një analizë të zgjedhjeve të 14 majit, dhe rezultatit të tyre kur kanë kaluar dy ditë tashmë nga e diela kur qytetarët iu drejtuan kutive.
Garën për Tiranën e fitoi kryebashkiaku aktual Erion Veliaj me një diferencë të thellë ndaj Belind Këlliçit të “Bashkë Fitojmë” i cili u radhit i dyti.

Për analistin Ben Andoni, i ftuar në studio, faji për humbjen duhet parë fillimisht nga vetja, gjë që siç u shpreh ai, nuk e pa në retorikën e pas humbjes së drejtuesit të “Rithemelimit”, Sali Berisha.
Andoni thekson se PD-së i munguan projeksionet e sakta ndërsa shtoi se të djathtët thuajse nuk e njohin publikun, realitetin shqiptar.
“Në regjistrin e zotit Berisha, ai e kërkoi fajin te qytetarët, te makineria e votave të PS-së dhe mbi të gjitha në desiluzionin e madh që i kanë bërë publikut shqiptar...Uroj që në vazhdim të afrohen njerëz të rinj që do të bëjë projeksione të vërteta të së ardhmes.”
Andoni analizon po ashtu edhe retorikën e Belind Këlliçit dhe evidenton disa gabime që, sipas tij, u bënë nga kandidati i “Bashkë Fitojmë” për kryeqytetin.
“Nëse ndiqnit retorikën e Këlliçit, ai gati thoshte që kandidimi përballë Veliajt, është shumë i thjeshtë. Që ishte kandidat shumë i lehtë për t’u mposhtur. Ky është naivitet shumë i madh elektoral. Tregon papërgatitje.”
Nga ana tjetër, duke analizuar shifrat, analisti Plator Nesturi, thotë se nisur nga shifrat e pjesëmarrjes në Primaret e Tiranës, Këlliçi ka arritur të sigurojë vetëm votën e anëtarësisë së Rithemelimit dhe atë të Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)