
Vizita në Shqipëri, shënon dhe të fundit për Angela Merkel si kancelare në krye të qeverisë gjermane, por dhe fundin e një epokë 16 vjeçare për politikat e Jashtme të Gjermanisë. Ndaj Shqipërisë, Berlini ka qenë gjithmonë mbështetës sa i përket reformave që hapnin rrugën e integrimit, duke vijuar me qeverinë Rama një qasje që kishte shfaqur edhe më herët ndaj ekzekutivit të Sali Berishës.
Marrëdhëniet e mira dypalëshe nuk e kanë penguar gjithsesi kancelaren të jetë e drejtpërdrejtë në mesazhet e saj. Zëri i dobët i opozitës në Shqipëri ka gjetur shpesh mbështetjen e figurave kyçe të CDU-së gjermane të kancelares, duke ngritur shpesh të vetmet pengesa përballë pushtetit në rritje të kryeministrit Rama.
Diga më e fortë u ngrit në 2019, kur Shqipëria priste hapjen e negociatave. Bundestagu gjerman nën drejtimin e CDU-CSU-së, kushtëzoi “Po”-në e Berlinit me plotësimin e 9 kushteve, që pjesërisht përkonin edhe me shqetësimet e opozitës në Tiranë.
Në politikën konfliktuale të Tiranës, kushtet e Bundestagut, që më pas u kthyen në kushtet e Këshillit Europian, kanalizuan debatin mes palëve.
Qeveria gjermane e Angela Merkel ka qenë gjithashtu një zë i fuqishëm pro reformës në drejtësi. Plotësimi dhe vënia në punë e organeve të reja si SPAK dhe kthimi në funksion i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë ishin lajtmotiv i çdo përfaqësuesi të Berlinit, shoqëruar me kërkesën për ndjekje penale të atyre që goditeshin nga vettingut.
Reforma Zgjedhore ka gjetur gjithashtu angazhimin e kahershëm të qeverisë gjermane, ndërsa zëra të rëndësishëm në Berlin nuk kanë kursyer kritikat për qeverinë në Tiranë sa herë opozita vendase kërkon e shqetësuar ndihmën e partnerëve të CDU/CSU-së.
Me largimin e Angela Merkel nga pushteti, skena politike gjermane paraqet mundësinë e një qeverie të re drejtuar nga socialdemokratët e majtë. Një skenar që ngre pikëpyetjen nëse Berlini do të vazhdojë të jetë një digë ndaj pushtetit të Edi Ramës në Tiranë, si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe ato europiane përmes Brukselit. (A2 Televizion)