
Nga kjo e hënë në Kosovë do të nisë reduktimi i energjisë elektrike për të gjithë. Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) tha se do të furnizojë familjet dhe bizneset vetëm me energji të prodhuar në vend, për shkak se janë shteruar burimet financiare për të siguruar energji nga jashtë.
KEDS thotë se kishte parashikuar të merrte një subvencion prej 100 milionë eurosh nga qeveria, por asnjë cent nga ajo shumë nuk është shpërndarë te furnizuesi, gjë e cila e ka rënduar gjendjen edhe më tepër.
“Sot, disa muaj pas, të gjitha mundësitë financiare janë shteruar. KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë. Kërkohet me urgjencë edhe veprimi i aktorëve tjerë në mënyrë që së bashku ta përballojmë këtë krizë”, tha KEDS.
Partitë opozitare kanë akuzuar qeverinë Kurti për neglizhencë dhe mosangazhim në zgjidhje e kësaj situate.
Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, është shprehur se beteja e vërtetë tash është energjia e jo “luftërat imagjinare në kokën e kryeministrit”. “6-2 orari i reduktimeve në mes të Gushtit, kur niveli i konsumit është i ultë. Mund ta marrim me mend se si do të jetë dimri në Kosovë këtë vit. Dikush duhet me dhanë përgjegjësi për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarësinë energjetike të Kosovës. Sigurimi i energjisë është çështje e sigurisë kombëtare. Këto janë betejat e vërteta, e jo luftërat imagjinare në kokën e Kryeministrit”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se, me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve të para pas luftës çlirimtare 1998-1999. “Po i përcjell me shqetësim zhvillimet e javëve të fundit. Është e papërgjegjshme të udhëhiqet vendi në këtë mënyrë. Nuk iu kemi borxh të na kthejnë me dekada prapa. Fatkeqësisht, me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve të para pas luftës çlirimtare 1998-1999. Ndërkaq, për ta mbuluar këtë keqmenaxhim po e hapin temën e shamive në shkolla, duke kthyer debatin e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Hoti.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar pas lajmit për fillimin e reduktimeve të energjisë elektrike në vend. “Dimër mesjetar po na vjen. Qeveria rrudhë krahët… as frigoriferi i famshëm s’do të ju ketë rrymë. Reduktimet e rrymës 6-2 në mes të gushtit. E në dimër? Këtë dimër familjet kosovare do të duhet të zgjedhin bukë të shtrenjtë apo dru/pelet/rrymë të shtrenjtë për ngrohje… nëse do të mund të gjejnë dru/pelet/rrymë për të blerë. Kundërshtuan, protestuan, sulmuan deri në dështim zyrtar termocentralin me thëngjill Kosova C dhe termocentralin me gaz. Me këtë ritëm, me këtë paaftësi qeverisëse, nuk përjashtohet situata ku çerdhet, shkollat, qëndrimet ditore nuk do të kenë me çka t’i ngrohin klasat e tyre. Do t’i detyrojnë prindërit t’i kthejnë fëmijët në shtëpi… ku as atje s’kanë ngrohje e as rrymë. Kush do t’i kryej punët e këtyre prindërve në vendet e tyre të punës… ku s’ka as ngrohje e as rrymë?”, tha ai. (A2 Televizion)