Sali Berisha premton se shumë shpejt do ketë emrat e rinj të drejtuesve të qarqeve dhe të kandidatëve për bashkitë në zgjedhjet vendore. Në një konferencë për mediat, pohoi sërish se përzgjedhja e kandidatëve mund të mos bëhet nëpërmjet primareve.
“Ka mendime të ndryshme, dhe ajo do vendoset nga forumet e partisë. Nuk mund të them tani. Statuti ka përcaktimet e veta, por mendime ka të ndryshme, ç’është e vërteta”, tha kreu i PD.
Fitoren Berisha e shikon te bashkimi i opozitës, duke shtrirë sërish dorën e bashkëpunimit për partitë e tjera opozitare. “PD dhe partitë opozitare mendoj se kanë përgjegjësinë në betejën kundër kësaj të keqe të madhe të bashkohen në këto zgjedhje vendore me kandidatë të përbashkët në një koalicion të gjerë në gjithë Shqipërinë, përfshi edhe Tiranën”, shtoi Berisha, përcjell A2 CNN.
Në zgjedhje pritet të shkohet me 15 bashki më pak, por kryedemokrati konfirmoi qëndrimin se do t’i drejtohen gjykatës kushtetuese për të zhbërë reformën e miratuar nga shumica socialiste. “Po, ne do ta ndjekim me të gjitha modalitetet ligjore”.
Stina e protestave do të vijojë për Partinë Demokratike, pasi Berisha ftoi sërish mbështetësit e tij për të qenë në shesh ditën e shtunë. “Në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi, në mbështetje të revoltës studentore”.
Kreu i Partisë Demokratike komentoi edhe përplasjen Rama-Veliaj dhe duke iu referuar letrës që ka publikuar kryebashkiaku thotë se po kërcënohet nga kryeministri me qëllim dorëzimin e bashkisë së Tiranës. (A2 Televizion)