Debati lojë për Strasburg? Ndreca: Fantazi, po bëjmë gati kallëzim penal

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2026, 14:38 | Politikë

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shtyrë seancën ndaj Erion Veliajt dhe të akuzuarve të tjerë për shkak të mungesës së një prej avokatëve.

Para trupës gjykuese, kryetari i Bashkisë së Tiranës paraqiti një shkresë, ku ngre pretendime se ministri Toni Gogu, gjatë një takimi në burgun e Fierit, i ka kërkuar të pranojë se financon flamingot dhe protestat, dhe se duhet të dorëzojë detyrën.

Në përgjigje, gjyqtarët deklaruan se çështja nuk është në kompetencën e tyre, ndërsa për mediat, avokati Plarent Ndreca shtoi se dosja do të shkojë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Çdo veprim që ka ndikuar në veprimtarinë politike të zotit Veliaj, çdo veprim që ka ndikuar në veprimtarinë institucionale të zotit Veliaj, çdo veprim që ka ndikuar në të drejtat dhe liritë themelore të zotit Veliaj, me origjinë institucionale apo politike, sigurisht me qëllim të fshehtë apo të hapur, do të përdoret. Tashmë është përdorur”.

Ndreca i quajti të pabaza pretendimet se debati është një lojë për të mbyllur dosjen në Strasburg. “Kjo është një fantazi, e cila sigurisht nuk ndjek qëllimin... Faleminderit”.

Ndreca shtoi se po shqyrton mundësinë e ankimit për transferimin nga Durrësi në Fier, si dhe të ngritjes së një padie tjetër. Ai tha se veprimin e pengojnë mungesa e vendimit dhe rruga e gjatë. “Ne jemi duke e vlerësuar ligjërisht, sepse duhet të mirëkuptoni edhe vështirësinë tonë në komunikim me zotin Veliaj, pasi duhet të udhëtojmë 130 kilometra”.

Deklaratat e Veliajt janë kundërshtuar nga vetë ministri Toni Gogu. Në rrjetet sociale, ai pranon se janë takuar, por thotë se takimi ka qenë miqësor dhe se nuk i ka përcjellë asnjë porosi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos