Dinamika e grabitjes së 2 mln eurove në pistën e Rinasit, u vra një nga autorët

Nga A2 CNN
9 Prill 2019, 17:07 | Aktualitet

Rikthehen grabitjet e blindave me para në zonën e Rinasit, këtë herë me pasojë jo vetëm vjedhjen e parave, por edhe një i vdekur. Një automjet me mbishkrimin “Policia Tatimore” dyshohet se ka ndaluar një makinë të bankave të nivelit të dytë brenda rrethimit të aeroportit të Rinasit. Në të udhëtonin persona të armatosur dhe maskuar, të cilët nën kërcënimin e armëve kanë marrë një sasi të konsiderueshme parash. Gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi, raporton se janë vjedhur rreth 2 milionë euro, të cilat i përkisnin një banke të nivelit të dytë dhe do të transportoheshin jashtë shtetit. Ky është rasti i tretë i grabitjeve të tilla. Në vitin 2015 u grabit blindi me para po në të njëjtën zonë dhe serish në vitin 2017 paratë u morën brenda rrethimit të Aeroportit të Rinasit. Deklarata e policisë – Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Policia e Shtetit me anë të një deklarate duke dhënë detaje. Policia bën të ditur se i vrarë ka mbetur një prej autorëve të ngjarjes, i cili është qëlluar nga policia. “Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar. Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit. Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon. Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit”, mbyllet deklarata e policisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos