Rafet Rudi, dirigjenti i cili ka drejtuar korin në Vatikan gjatë ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, vjen në Tiranë për të çelur sezonin, ku do të drejtojë orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Këtë të dielë është shfaqja e parë me pjesët e përzgjedhura, dhe dirigjenti kosovar i rrëfehet gazetares së A2CNN Luela Myftari.

“E ndjej veten të gëzuar dhe të kënaqur. Do të kemi një pjesë a capella me pjesë shpirtërore dhe në pjesën e dytë do të luajmë Meshën e Mozartit, diçka që nuk shihet shpesh këtu”.
Sipas dirigjentit të lindur në Mitrovicë “në fushën e interpretimit dhe orkestrave Shqipëria është në nivel të lartë”, edhe pse thekson që nuk ka një traditë po aq të madhe në pjesën e korit a capella.
Kushtet e infrastrukturës gjithsesi duken “disi të vështira” edhe pse thekson që “në Kosovë, kushtet e sallave koncertale nuk janë aspak më të mira”. (A2 Televizion)