Dita e Falënderimeve, shtrenjtohet tavolina për amerikanët

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2022, 15:35 | Bota

Dita e Falënderimeve, shtrenjtohet tavolina për amerikanët

Çdo nëntor, familjet amerikane mblidhen për festuar, të gjithë së bashku, Ditën e Falënderimeve. Tryezat mbushen me ushqime të ndryshme dhe askush nuk kursehet me blerjet, por këtë vit, kostoja e shumë pjatave është rritur ndjeshëm.

Çmimi i gjelit të detit, mbretit të tavolinës, është rritur 24%

Përgatitja e një pureje patatesh do të kushtojë rreth 20% më shumë

Sallatat shoqëruese kanë gjithashtu një çmim të ri: +9%

Salca e boronicës është rritur 18%

Përbërësit kryesorë për një byrek perfekt kanë pësuar rritje, midis 23% dhe 75%

Problemet si inflacioni, moti i keq dhe pasojat e luftës në Ukrainë, i kanë rritur çmimet pothuajse për çdo gjë. Në përgjithësi, përbërësit për një vakt tradicional të Ditës së Falënderimeve do t'u kushtojnë blerësve 13.5% më shumë këtë vit, në krahasim me vitet e kaluara. Përveç blerjeve tipike për këtë festë, rritje kanë pësuar edhe produktet bazë, si vezët apo gjalpi.

Pse këto artikuj janë më të shtrenjtë këtë vit?

Gjeli i detit

Gripi i shpendëve ka shkatërruar tufa të tëra shpendësh këtë vit, si dhe ka goditur veçanërisht gjelat e detit. Sipas të dhënave zyrtare, deri më sot, ka pasur një humbje prej 8 milionë gjelash apo pak më shumë se 3% të prodhimit vjetor. Ndonëse prodhuesit planifikojnë për Ditën e Falënderimeve një vit përpara festës, një krizë si gripi i shpendëve, mund të jetë i paparashikueshëm. Këtë vit çdo gjë dukej nën kontroll deri në korrik, por në gusht gripi i shpendëve u përhap sërish.

Patatet

Moti i keq ka dëmtuar furnizimin me patate. Sipas ekspertëve të industrisë ushqimore, ky ka qenë një vit shumë i vështirë për të korrat në SHBA. Pranvera e freskët që u pasua nga një nxehtësi ekstreme, vonoi prodhimin e patates. Përveç tyre, shirat dhe uraganet kanë shkatërruar plantacione të tëra me të mbjella. Prodhimi i vitit të kaluar ishte gjithashtu i vogël për shkak të motit të nxehtë dhe të thatë në Idaho, ndaj ky vit nisi me një inventar shumë të ulët, çka solli çmime më të larta.

Sallata

Në Kaliforni, ku rritet pjesa më e madhe e sallatës jeshile, prodhimi u prek nga sëmundja dhe kjo dëmtoi të korrat e këtij viti. Në të gjithë vendin, pati furnizim të paktë dhe cilësi të ulët. Këto ndikuan drejtpërdrejtë në rritjen e çmimit.

Përbërësit për byrekë

Përgatitja e një byreku do të jetë shumë më i kushtueshëm këtë vit. Gjalpi është bërë më i shtrenjtë për shkak të furnizimit të paktë me qumësht. Por interesi i konsumatorëve për produktet e bulmetit, veçanërisht për djathë e gjalpë, është gjithmonë i madh dhe kjo reflektohet më pas në çmimet e larta. Disa receta byreku kërkojnë edhe vezë, çmimi i të cilave gjithashtu është rritur për shkak të gripit të shpendëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos