
Zyrtarët e lartë shtetërorë dhe diplomatë të huaj dhanë urimet e tyre për festën bektashiane të Nevruzit. Por, uratat pranë Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë u shoqëruan edhe me ndryshime oraresh në moment të fundit.
Çifti presidencial, Ilir Meta-Monika Kryemadhi, nuk shkuan bashkë në përcjelljet e urimeve pranë Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.
Zyra e Shtypit e Presidencës njoftoi se në orën 13:00, Kreu i Shtetit do të ishte i pranishëm pranë Kryegjyshatës, por orari i tij u spostua me 60 minuta, jo vetëm për shkak të zonjës së tij.
E para ishte bashkëshortja Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, e cila erdhi pranë selisë bektashiane në orën që kishte njoftuar Meta. E dyta ishte ambasadorja Yuri Kim, e cila hyri në Kryegjyshatë pasi u largua kryetarja e LSI-së.
Ardhja e ambasadores amerikane detyroi Kreun e Shtetit të presë sërish, derisa diplomatja të largohej, me të cilën u shkëmbyen në oborr, secili në automjetin e vet.
Në prononcimin e tij, Presidenti zgjodhi të mos japë mesazhe të drejtpërdrejta politike, por duke i futur mes rreshtave: “Pranvera dhe demokracia janë në sintoni me njëra-tjetrën, për të kaluar aq më tepër këtë dimër të gjatë, me vështirësi të mëdha. Besoj se shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, sidomos nga kjo pranverë dhe e kanë kuptuar se fuqia e ndryshimit janë vetë ata”.
Urimet pranë Kryegjyshatës i përcollën edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë. (A2 Televizion)