
"Ligji nuk do të na ndalojë të shkojmë në kishë". Në një prej ditëve më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, atë të Ujit të Bekuar, grekët ishin të vendosur për të sfiduar kufizimet kundër koronavirusit, që ndalojnë grumbullimet publike.
Pavarësisht thirrjes së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis që kisha të vendosë shembull gjatë një krize që u ka marrë jetën më shumë se 5 mijë personave, besimtarët u mblodhën në shërbesat e mëngjesit edhe pse u limitua numri i atyre që mund të hynin në kisha në të njëjtën kohë.
"Nuk duhet të merreni me besimin tonë. Grekët janë të krishterë të devotshëm. Nuk mund t'i ndalosh të shkojnë të luten apo të kryejnë detyrën e tyre ndaj Jezu Krishtit dhe Virgjereshës Mari", shprehet një besimtare.
Policia patrullonte jashtë kishave, por tha se nuk do të ndërhynte në shërbesa e se do të përdorte masa të buta, për të bindur qytetarët për të shmangur turmat.
Qasja nxjerr në pah hezitimin e qeverisë konservatore të Mitsotakis për t'u përballur me Kishën Ortodokse që ka ndikim të madh në jetën publike greke. Për ortodoksët, Epifania shënon ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit dhe zbulimit të Trinisë së Shenjtë. Rituali popullor, sipas të cilit, notarët përpiqen të gjejnë Kryqin e hedhur në ujë nga një prift u ndalua këtë vit.
Ndërsa, Stambolli nuk hoqi dorë nga rituali i lashtë, edhe pse vetëm dy grekë u zhytën në ujërat e ftohtë për gjetjen e Kryqit të hedhur nga lideri shpirtëror i besimtarëve ortodoksë, Patriarku Bartolomeu. Pjesëmarrja ishte më e ulët këtë vit për shkak të pandemisë. (A2 Televizion)