
Politikat e reja familjare në Hungari po promovohen nga një prej çifteve më të famshëm në internet. Dy të rinj të buzëqeshur e të përqafuar, janë zgjedhur si imazh i planit të ri të Viktor Orban, ku përfshihet edhe heqja e taksave për nënat me shumë fëmijë.
Por hungarezëve nuk u ka shpëtuar një detaj i rëndësishëm; çifti është i njëjti që pozon në një prej memeve më të famshme në rrjet.
Në meme, të rinjtë shfaqen krah njëri-tjetrit, por djali hutohet pas një kalimtareje, duke nxitur pakënaqësinë e të dashurës.
Fotoja e çiftit në Budapest, është shpërndarë mijëra herë edhe në Shqipëri, e shoqëruar më shprehje që lidhen me pavendosmërinë, tradhtinë, hipokrizinë e gjithçka tjetër. Imazhet zëvendësuan posterat e mëparshëm, të cilat zemëruan jo pak Bashkimin Europian.
Atje shfaqeshin presidenti i komisionit europian Jean-Claude Juncker dhe filantropi miliarder George Soros.
Në tekstin shoqërues, ata akuzohen për mbështetje të emigracionit të paligjshëm. Debatet lidhur me posterët dhe retorika e përsëritur antieuropiane e Victor Orban, kanë nxitur thirrjet për përjashtimin e partisë së tij nga Partia Popullore Europiane, ku bën pjesë edhe Juncker. (A2 Televizion)