Pa kaluar 24 orë nga momenti kur pretendoi se Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) nuk mund ta shkarkonte nga detyra e gjyqtarit kushtetues, Besnik Muçi i vuri në dyshim fjalët e tij.
Paraditen e së premtes mbërriti në Gjykatën Kushtetuese, por qëndroi vetëm pak minuta. Në to i kërkoi kryetares Vitore Tusha të verifikonte nëse vlente mandati i tij si gjyqtar kushtetues pas vendimit negativ të shkallës së dytë të Vetting-ut.
Nëse nuk konsiderohej më anëtar, Muçi kërkonte që, në zbatim të Kushtetutës, mbarimi i mandatit t’i deklarohej me vendim nga Kushtetuesja. Dilema e ish-prokurorit Muçi për fatin e tij në këtë gjykatë mori fund pak pas mesditës. Referuar verdiktit të vetting-ut, Kushtetuesja njoftoi Presidentin e Republikës për krijimin e një vakance të re.
Në të njëjtën kohë, emri i Muçit u fshi nga anëtarët e Kushtetueses në faqen e saj në internet.
Kohë nuk humbi as Presidenti i Republikës. Kreu i shtetit shpalli vakant vendin e Muçit në Kushtetuese, duke “vulosur” kështu fundin e rrugëtimit të tij 35-ditor si anëtar i kësaj gjykate. (A2 Televizion)