
Lini, një nga vendbanimet më të hershme në Evropë, me një histori rreth 6 mijëvjeçare dhe i njohur për ndërtimet karakteristike me stilin palafit, pritet të zgjidhë një nga problematikat më të mëdha mjedisore: derdhjen e ujërave të zeza të papërpunuara në liqen.
Kjo situatë ka krijuar ndër vite shqetësime për banorët dhe turistët që vizitojnë fshatin, për shkak të aromave të pakëndshme, por edhe dëmeve të shkaktuara në ekosistemin e liqenit dhe faunën e tij.
Problematika duket se po shkon drejt zgjidhjes, pasi për herë të parë në fshatin turistik të Linit do të ndërtohet një sistem për përpunimin e ujërave të ndotura. Projekti pritet të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së jetesës së banorëve, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit në zonë.
Trajtimi i ujërave të zeza në Lin dhe në disa fshatra të tjerë përgjatë bregut të liqenit ka qenë gjithashtu një nga kërkesat e UNESCO-s ndaj autoriteteve shqiptare. Organizata ka ngritur shqetësimin se ndotja e ujërave rrezikon florën dhe faunën e Liqenit të Ohrit, pjesë e trashëgimisë botërore.
Ndërtimi i sistemit të ri të përpunimit të ujërave të ndotura synon të adresojë një problematikë të mbartur prej vitesh, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e një prej zonave më të rëndësishme natyrore dhe turistike të vendit. (A2 Televizion)