
Një studim i mbështetur nga NATO ngre alarmin për një problem serioz në rast të një lufte të përmasave të mëdha në Evropë: Aleanca mund të përballet me mungesë karburanti për avionët ushtarakë.
Sipas studimit, nëse gjatë dekadës së ardhshme shpërthen një konflikt që përfshin vendet evropiane anëtare të NATO-s dhe përforcime nga Amerika e Veriut, nevojat për karburant mund të tejkalojnë furnizimet e disponueshme. Të dhënat janë raportuar nga POLITICO.
Studimi u publikua në shtator nga Qendra e Ekselencës për Sigurinë Energjetike të NATO-s, një institucion kërkimor me seli në Vilnius të Lituanisë, i cili ofron të dhëna strategjike dhe operacionale për vendet anëtare të aleancës.
Një nga arsyet kryesore të këtij rreziku është tkurrja e kapaciteteve të rafinimit të naftës në Evropë. Të dhënat e FuelsEurope dhe Komisionit Evropian tregojnë se që nga viti 2009 janë mbyllur rreth një e katërta e rafinerive të naftës në kontinent.
Rezervat mbulojnë vetëm 49 ditë
Sipas studimit, Evropa ka rezerva karburanti për avionë që mjaftojnë për rreth 49 ditë, ndërsa rezervat e përgjithshme të naftës dhe produkteve të saj mbulojnë rreth 120 ditë.
Në një skenar të një konflikti në shkallë të gjerë, ku aktivizohet Neni 5 i Traktatit të NATO-s dhe përfshihen përforcime të konsiderueshme nga Amerika e Veriut, rreth 45 për qind e karburantit të destinuar për aviacionin civil do të duhej të kalonte menjëherë për përdorim ushtarak.
Kjo përqindje mund të arrijë në 60 për qind deri në vitin 2035.
Për të shmangur një krizë të tillë, studiuesit rekomandojnë që qeveritë e vendeve aleate të ruajnë kapacitetet ekzistuese të rafinimit, të zgjerojnë rezervat strategjike të karburantit, të përshpejtojnë prodhimin e karburanteve alternative për aviacionin dhe të diversifikojnë burimet e importit. (A2 Televizion)