
Komisariati nr.2 në Tiranë ka vënë në pranga një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi ishte i armatosur në një nga lokalet e Bllokut në Tiranë. 30 vjeçari Petrit Shima nga Thumana dhe me precedent të theksuar të mëparshëm penalë u arrestua se bashku me 25-vjeçarin Redion Hymeri i cili rezulton i dënuar në Angli me 1 vit burg për posedim lëndësh narkotike.
Burimet kanë bërë të ditur se këtë të enjte të dy ishin nën monitorimin e policisë, pas informacioneve të marra në terren. Fillimisht kishin lëvizur me armë zjarri me vete, nga Kruja drejt Tiranës ku ndaluan në zonën e bllokut e më tej u larguan me taksi. Në rrugën “Sami Frashëri” policia ndaloi mjetin për kontroll.
Në deklaratën për medien thuhet se 30-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë me 15 fishekë, të cilën e posedonte pa leje. Me të njëjtin mjet lëvizte edhe 25-vjeçari, i cili nuk kishte kallëzuar krimin.
Të dy të rinjtë kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, dhe më pas, kanë dëmtuar ambientet e dhomës së shoqërimit të komisariatit. Madje është nevojitur ndërhyrja e forcave Shqiponja për t'i neutralizuar. (A2 Televizion)