
Italia mbetet në një udhëkryq politik, pasi kryeministri Mario Draghi njoftoi dorëheqjen pak ditë më parë, pas tërheqjes së mbështetjes për të të partnerit në koalicion, Lëvizjes 5 yjet. Vendit mund t’i duhen shumë shpejt, zgjedhje të parakohshme për të kapërcyer këtë ngërç politik.
Të enjten e 14 korrikut, presidenti Sergio Mattarella ia refuzoi Draghit dorëheqjen dhe i kërkoi që t’i adresohet të mërkurën parlamentit, për të dhënë para ligjvënësve një panoramë të qartë të situatës politike.
Giovanni Orsina, një profesor historie në Universitetin Luiss në Romë, thotë se edhe pse situata është e nderë, largimi i Draghi-t nga qeveria, nuk është fundi i botës.
“Nuk do të thoja se është fundi i botës. Them se Italia do të vazhdojë rrugën e saj, do të vazhdojmë të jemi pjesë e NATO-s, do të vazhdojmë të jemi një partner i besueshëm i BE dhe Italia do të vazhdojë të vetëqeveriset ekonomikisht. Sigurisht në këto 18 muaj të shkuar, Draghi në postin e kryeministrit i ka dhënë Italisë prestigj dhe forcë, që kanë qenë shumë të rëndësishme për negociatat me aleancën e Atlantikut të Veriut por edhe Bashkimit Europian. Ndaj nuk mund të them që nuk është humbje largimi i tij. Është humbje, por jo fundi i botës”.
Draghi drejtoi qeverinë e Romës për 18 muaj dhe zgjedhjet e ardhshme kombëtare pritet të mbahen jo më herët se gjysma e parë e 2023, por afrimi i një date përmes zgjedhjeve të parakohshme, do t’ja pamundësonte partive mbajtjen e tubimeve, por edhe përgatitjen e listave të kandidatëve. Gjithsesi, 2 burime nga zyra e kryeministrit Draghi, thotë se është e vështirë arritja e një kompromisi mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe se 74-vjeçari mbetet i vendosur për t’u larguar nga drejtimi i qeverisë.
Sipas burimeve, Italia me shumë gjasë, mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë tetor. Në këtë rast, Draghi mund të pranojë të jetë kryeministër në detyrë, edhe për 2 muajt në vijim, por nuk do mund të hartojë buxhetin e vitit të ardhshëm e as të veprojë për reformat e kërkuara nga Europa.
“Për mua, si Italian, është shumë e ndërlikuar të kuptoj se pse Lëvizja 5 yjet, vendosi të “vrasë” kryeministrin dhe qeverinë në këtë moment të vështirë për Italinë, për Europën e për botën. Inflacioni, çmimi i energjisë, çmimi i produkteve bazë, kanë nevojë për implementimin e një plani ekonomik të menjëhershëm, përmes reformave. Për ne, në të ardhmen, do të jetë i vështirë bashkëpunimi, edhe për qeverinë e unitetit kombëtar por në këtë moment, duhet të jemi seriozë”, thotë Antonio Tajani, koordinator i “Forza Italia”.
Italia nuk mbajtur zgjedhje në vjeshtë që prej Luftës së Dytë Botërore, pasi kjo është periudha kur nisin diskutimet në Kuvend për buxhetin e vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)