Në një kohë kur pritet shtensionim të situatës në veri të Kosovës, ky hap duket ende i largët. Ditën e sotme, tre pjesëtarë të policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serbë kanë dhënë dorëheqjen, rreth një muaj nga fillimi i punës, pikërisht në kulmin e tensioneve, pas marrjes së detyrës nga ana e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore të Kosovës.
Kjo ka sjellë edhe reagime nga ana e presidentes Vjosa Osmani, por edhe të diplomatëve perëndimorë.
Kryetarja e Shtetit fajëson politikën në Serbi për këtë vendim.
“Dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia, një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e (Slobodan) Millosheviqit”, shkruan Osmani.
EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese.
“Përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe e mbrojnë”, thuhet në postim.
Një reagim ka pasur edhe nga ana e ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier.
“Përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po i ndjekim nga afër këto zhvillime”, shkroi ai.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde.
“Një vend shumetnik kërkon një polici shumetnike. Të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës - pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin - duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikë”, theksoi ai.
Parimisht palët kanë rënë dakord për shtensionimin e situatës. Kosova ka pranuar që të rimbajë zgjedhjet për 4 komunat në veri të saj, por thekson se Bashkimi Evropian duhet të heqë masat ndëshkuese ndaj saj të cilat u vendosën në qershor.
Ndërkohë, ndërkombëtarët bëjnë thirrje që zgjedhjet në veri të Kosovës të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur. (A2 Televizion)