
Drejtori i Përgjithshëm i Portit të Durrësit, Agron Tare, ka njoftuar këtë të enjte se jep dorëheqjen nga posti që mban.
“Sot mbaron misioni im si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës”, shkruan vetë Tare në profilin e tij në Facebook.
“Që prej marrjes së detyrës si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, kam shërbyer më devotshmëri dhe pasion për punën, gjë që e tregojnë rezultatet e deritanishme financiare të këtij institucioni. Dorëhiqem për të vijuar rrugëtimin tim profesional dhe duke i uruar pasardhësit/es tim/e suksese! Nuk mund të lë pa falënderuar ata që më besuan këtë pozicion të rëndësishëm, ekipin e APD-së, bashkëpunëtorë të mi, të afërt e të largët!”.
Në fund të muajit shtator, pas një operacioni të Policisë shqiptare, në bashkëpunim edhe me autoritetet greke dhe ato amerikane të DEA-s, në portin e Durrësit u sekuestruan 137 kg kokainë, e fshehur në dy kontejnerë. Ato kishin mbërritur në Shqipëri nga Greqia, ndërsa prejardhja e saj është nga Ekuadori. Në fakt, kokaina ishte ndryshuar me oriz nga autoritetet greke për të gjetur pritësin e lëndës narkotike. Për këtë ngjarje, janë arrestuar dy persona, Ardian Bega dhe Altin Myslihaka, ndërsa Gentian Malindi është shpallur në kërkim. (A2 Televizion)