
Sali Berisha e ka cilësuar një akt të turpshëm dhe trillim të Ramës se personi me inicialet I.M në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit kishte të bënte me ish-presidentin Ilir Meta.
Ky i fundit nuk ka asnjë lidhje me dosjen, nënvizoi kreu i PD, teksa shtoi se vetë kryesocialisti ka refuzuar lustracionin që propozuan dikur demokratet, ligj që do mundësonte bërjen publike të të gjithë dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të shtetit.
“Pas verifikimit të dokumenteve, deklarova dy ditë më parë se gjithçka është një trillim i paskrupullt i Edi Ramës dhe i turpshëm i një njeriu në panik, pa asnjë moral që përdor shpifjen dhe trillimin kundër kundërshtarëve politikë. Dje pasdite dhe sot, unë kam dokumentet në dorë, nuk ka akt më të shëmtuar. Edi Rama, bashkë me shërbimin informativ që e ka organizuar, e ka bërë në mënyrën më të trashë këtë kurth. E ka stisur në mënyrën më të trashë. Cilido që lexon emailin e ka të qartë se I.M është Ilir Murati nga Librazhdi dhe Filip Talo është nga Librazhdi dhe s’ka asnjë lidhje me Ilir Rexhep Metën. Këtë e kanë ditur këtë. Edi Rama ka keqpërdorur, ka keqshfrytëzuar në mënyrë më të shpifur, qoftë kryetaren e autoritetit, qoftë Linda Nikollën.
Unë mund t’ju them ju se në dokumentin që Genta Sula i drejton Linda Nikollës akuzon direkt Ilir Metën për bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Një akt i pashembullt. Kjo zonjë është keqshfrytëzuar në mënyrë ekstreme nga Edi Rama për arsye që ajo i di vetë. Por edhe do të zbardhen. Mbi bazën e këtij dokumenti të hartuar nga SHIK, për herë të parë në jetën e saj politike, Linda e Parlamentit del dhe u thotë shqiptarëve se jam e tmerruar, e tronditur nga dokumenti që ka dalë. Histori të turpshme, zyrtarë primitivë që s’kanë asgjë të përbashkët me integritetin e një zyrtari. Ky është kurthi që organizon Edi Rama në mënyrë që të mund të përdorë SHISH për fabrikim të dokumenteve”, tha Berisha. (A2 Televizion)