Dosja "Tahiri", Gjykata e Lartë refuzon lirimin e Çelës, Tahiri ende pa rekurs

Nga A2 CNN
4 Gusht 2020, 16:40 | Aktualitet
Dosja "Tahiri", Gjykata e Lartë refuzon lirimin e

Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për lirim nga qelia të ish-shefit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Pasi çështja ndaj tij dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u kthye për rigjykim në Shkallën e Parë, Gjykata e Lartë ka shuar dëshirën e Çelës për të zbutur masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ish-zyrtari i Policisë së Vlorës e argumentoi kërkesën për liri me faktin se nuk kishte rrezikshmëri shoqërore dhe se nuk mund të dëmtonte provat, por Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë rekursin e tij.

Jaeld Çela qëndron në burg prej 16 majit, kur u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës pas më shumë se 2 vitesh qëndrimi në arrati. Gjatë arratisë ai u dënua nga Gjykata për Krimet e Rënda me 3 vjet e 4 muaj burg për “shpërdorim të detyrës”.

Por duket se qëndrimi në qeli i Çelës është i varur edhe nga fakti nëse ai dhe i bashkëpandehuri Tahiri, do të kundërshtojnë në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit të Posaçëm që ktheu dosjen në rigjykim.

Nëse vendimit të Apelit për Tahirin e Çelën i bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, rigjykimi nga zero i dosjes në Gjykatën e Posaçme nuk mund të fillojë pa u shprehur kjo gjykatë. Por ngarkesa e lartë në Gjykatën e Lartë, më shumë se 35 mijë dosje në pritje dhe trupa gjyqësore e paplotësuar e bën të largët ditën kur rekursi mund të merret në shqyrtim.

Në vendimin e 26 qershorit për kthimin e dosjes në rigjykim, Apeli i Posaçëm argumentoi se Shkalla e Parë ka gabuar kur rikualifikoi akuzën për ta nga “trafik i narkotikëve” në formën e grupit kriminal në “shpërdorim të detyrës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos