Hegseth drejt shkarkimit? Trump e mbron, por nisin të qarkullojnë emrat e pasuesve

Nga Rosalba Bejdo
10 Nëntor 2026, 13:40 | Bota

E ardhmja e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duket gjithnjë e më e pasigurt. Pavarësisht mbështetjes publike nga presidenti Donald Trump, në Uashington po shtohen zërat për largimin e tij nga detyra, ndërsa kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e kandidatëve që mund ta zëvendësojnë.

Kërkesa për shkarkimin e tij u paraqit të hënën në Kongres nga republikani Thomas Massie, i cili e akuzon Hegsethin për shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës, kryesisht lidhur me menaxhimin e luftës kundër Iranit, por edhe me operacionet ushtarake në Jemen dhe Venezuelë, shkruan A2 CNN. Nisma vjen pas humbjeve të thella të republikanëve në zgjedhjet e fundit të mesmandatit, ku lufta me Iranin dhe pasojat ekonomike të saj konsiderohen ndër faktorët që ndikuan në rezultatin zgjedhor.

"Sekretari Hegseth ka shpërdoruar kompetencat e detyrës së tij përmes veprimeve të mëposhtme: duke urdhëruar, autorizuar dhe vijuar operacionet ushtarake armiqësore të Shteteve të Bashkuara në Iran, edhe pasi të dyja dhomat e Kongresit miratuan Rezolutën 86, duke shpërfillur kështu udhëzimin e qartë dhe ligjërisht të vlefshëm të Kongresit për tërheqjen e forcave të armatosura amerikane nga këto armiqësi".

Hegseth, nga ana e tij, nuk duket i tërhequr. Ai deklaroi se do ta niste sërish luftën kundër Iranit, nëse do t'i jepej mundësia, duke mbrojtur vendimet e administratës Trump dhe operacionin ushtarak “Furia Epike”. I pyetur për mundësinë e shkarkimit përmes procedurës së fajësimit (impeachment), ai u shpreh se nuk ka frikë.

I zëshëm në mbështetje të tij vijon të jetë presidenti Trump, i cili, në një postim të fundit, e quajti humbës ligjvënësin Thomas Massie dhe tha se Hegseth duhet të vlerësohet, jo të shkarkohet. Po ashtu, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i doli në mbrojtje, duke e cilësuar një profesionist të madh.

Emri që përmendet si favorit për të pasuar Hegsethin në rast shkarkimi është guvernatori i Floridës, Ron DeSantis. Në listën e kandidatëve të mundshëm janë edhe ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, si dhe senatorja Joni Ernst. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos