Skandali te Nvidia, Trump: FBI-ja po heton lidhjen e mundshme me spiunen kineze

Nga Rosalba Bejdo
10 Nëntor 2026, 13:53 | Bota

Skandali te Nvidia, Trump: FBI-ja po heton lidhjen e mundshme me spiunen kineze

Presidenti amerikan Donald Trump konfirmon se FBI-ja po heton marrëdhënien mes drejtuesit të kompanisë Nvidia, Jensen Huang, dhe një gruaje të dyshuar si spiune kineze.

Trump tha se kishte biseduar personalisht me Huang, të cilin e kishte pyetur nëse kishte dijeni për lidhjet e pretenduara të gruas me shërbimet kineze të inteligjencës, shkruan A2 CNN. Sipas presidentit amerikan, drejtuesi i Nvidia-s i është përgjigjur se nuk kishte asnjë dijeni. Trump shtoi se i beson versionit të tij dhe e cilësoi Huang-un si një njeri të ndershëm.

“Do ta shqyrtojmë këtë çështje. E di që FBI-ja po e heton për të zbuluar nëse ka diçka tjetër dhe mendoj se ai do të jetë në rregull”, tha Trump.

Gruaja në qendër të hetimit është Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë Megaspeed në Singapor, e cila ka pasur marrëdhënie tregtare me Nvidia-n. Sipas raportimeve të mediave amerikane, zyrtarët e inteligjencës dyshojnë se ajo ka vepruar në interes të Pekinit. Kina i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar të pabazuara dhe si përpjekje për të dëmtuar imazhin e saj.

Ndërkohë, Nvidia ka nisur një hetim të pavarur dhe deklaron se nuk ka arsye të besojë se sekretet e kompanisë apo siguria kombëtare amerikane janë komprometuar.

Çështja ka sjellë edhe pasoja financiare. Vetëm të hënën, aksionet e Nvidia-s ranë me mbi 4 për qind, duke i shkaktuar kompanisë një humbje prej rreth 250 miliardë dollarësh në vlerën e tregut.

Për më tepër, Huang është thirrur të japë shpjegime para disa komiteteve të Kongresit amerikan, në një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë teknologjike dhe garën mes SHBA-së dhe Kinës për inteligjencën artificiale.

Nvidia është kompania e dytë më e vlefshme në botë, pas Apple, dhe prodhon çipa kompjuterikë që janë thelbësorë për zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos