Bisedimet për fundin e luftës në Abu Dhabi, SHBA: Palët kanë treguar fleksibilitet, diskutohet territori dhe siguria

Nga Rosalba Bejdo
10 Nëntor 2026, 13:34 | Bota

Në Abu Dhabi kanë nisur negociatat trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës. Në tryezë janë disa prej emrave kryesorë të diplomacisë dhe sigurisë, por një marrëveshje mbetet ende larg.

Delegacioni amerikan përfshin të dërguarin Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Donald Trump. Rusia përfaqësohet nga këshilltari i Kremlinit Vladimir Medinsky, zëvendësministrat e Jashtëm Sergei Ryabkov dhe Mikhail Galuzin, si dhe drejtues të strukturave të inteligjencës dhe ushtrisë. Ndërsa Ukraina ka dërguar drejtuesin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Rustem Umerov, kreun e kabinetit të presidentit Zelensky, Kyrylo Budanov, dhe deputetin Davyd Arakhamiya, të gjithë pjesë e ekipeve të mëparshme negociuese.

“Kemi pasur biseda pothuajse të përditshme me të dyja palët. Mendoj se kemi arritur vërtet të identifikojmë dhe të ngushtojmë hendekun që duhet kapërcyer. Kemi disa ide të mira se si mund të kapërcehet ky hendek. Dhe shpresojmë që sot, si dhe nesër, të mund të zhvillojmë një dialog të hapur, të sinqertë e gjithëpërfshirës, për të bërë përparim të mëtejshëm”, tha Jared Kushner, përcjell A2 CNN.

Pika më e vështirë e negociatave mbetet Donetsku. Moska kërkon të marrë edhe pjesët që kontrollohen ende nga Ukraina, ndërsa Kievi këmbëngul në ngrirjen e vijës aktuale të frontit. Megjithatë, zyrtarë amerikanë thonë se të dyja palët kanë shfaqur privatisht njëfarë fleksibiliteti.

Një tjetër çështje vendimtare janë garancitë e sigurisë pas luftës. Ukraina kërkon mbrojtje ndaj një agresioni të ri rus, ndërsa Moska kërkon kufizimin e pranisë së NATO-s në Evropën Lindore.

Por negociatat kanë edhe një tjetër dimension: atë evropian. Franca, Britania dhe Gjermania kërkojnë të përfshihen drejtpërdrejt në diskutime, ndërsa, bashkë me Italinë, NATO-n dhe BE-në, kanë dërguar përfaqësues në Abu Dhabi.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka këmbëngulur që asnjë marrëveshje për arkitekturën e sigurisë së kontinentit të mos arrihet pa BE-në dhe aleatët e NATO-s.

Uashingtoni thotë se synon zgjerimin e negociatave në një format shumëpalësh, por Rusia mbetet skeptike për përfshirjen evropiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos