Drafti i Ramës për Asociacionin, reagojnë dy ish-ministra të Jashtëm të Kosovës

Nga A2 CNN
8 Qershor 2023, 14:03 | Kosova
Drafti i Ramës për Asociacionin, reagojnë dy ish-ministra të

Deklarata e kryeministrit Edi Rama se i ka dërguar një draft për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë liderëve të Gjermanisë dhe Francës, ka ngjallur reagime të përziera në Kosovë.

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka dalë në mbështetje të Ramës, edhe pse drafti, siç tha kryeministri i Shqipërisë, është konfidencial.

“Mbështes qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për krizën në veri të Kosovës”, shkroi Hoxhaj në Twitter. “Është thelbësore për Kosovën që të punojë me aleatët tanë strategjikë në mënyrë që të adresojë me përgjegjësi dialogun Kosovë-Serbi dhe qasja më e mirë është ajo përmes një marrëveshjeje të plotë njohjeje”.

Por një tjetër ish-ministre e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, e ka kundërshtar propozimin e Ramës. “Pra tash "agjentët" e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje për jetësimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Të mos gabohemi. Qëllimi mbetet i njëjtë: ndarja e Kosovës!”, shkroi Haradinaj.

“Dje i kam përcjellë Macronit dhe Scholzit një draft të Asociacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe palën amerikane, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës, nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst, jo më se çfarë duhet të ketë teksti. Është dokument konfidencial, që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por ju siguroj që është dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit”, tha Rama më herët gjatë ditës. “Shpresoj që ky material të çojë në një nivel tjetër dialogun dhe jo që të flasin me vete dhe për vete”, shtoi Rama.

Për propozimin reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha. "Teksti është shkruar në Beograd dhe rishkruar në Tiranë.  Ky akt përbën një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës. Përbën një akt më të shëmtuarin në historinë e marrëdhënieve mes dy vende, që nxit dhe nuk qetëson konfliktin", tha ai. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/08/nderkombetaret-zot-shtepie-ne-kosove-rama-nese-i-kthejne-shpinen-vendin-e-presin-dite-te-zeza/
https://a2news.com/2023/06/08/drafti-i-rames-per-asociacionin-ne-kosove-berisha-vasal-i-vucicit-teksti-u-shkrua-ne-beograd/

A2 CNN Livestream

Latest Videos