Drejt ekonomisë qarkulluese

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2022, 21:42 | Ekonomi
Drejt ekonomisë qarkulluese

Zakoni është më i fortë se natyra, ndërsa kjo e fundit nuk krijon asgjë të tepërt apo të kotë.

Kjo fjali, bashkim i dy thënieve nga historiani romak, Rufi dhe matematicieni austronaut, Nikola Koperniku më shumë se kurrë merr kuptim sot. Kufiri prej 8 miliardë njerëzish në planetin Tokë, është kaluar.

Kërkesa e pangopshme për burime materiale do të vazhdojë të rritet, duke nënkuptuar që shfrytëzimi i planetit do të tejkalojë kapacitetin ripërtëritës të sistemeve natyrore. “Planeti ynë po shkon drejt shterimit të rezervave për shkak të përdorimit pa kriter të tyre”, shprehet Fatmir Memaj, zv/dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Financat.

Për më mirë apo më keq, njerëzimi ka arritur në pikën në të cilën veprimet do të përcaktojnë të ardhmen e pothuajse çdo specie tjetër në planet.

“Ndryshimet klimaterike janë një kërcënim potencial për shoqëritë dhe ekonomitë dhe shoqërohen me kosto të larta mjedisore, ekonomike dhe sociale, ndaj gjithnjë vlerësohen alternativa të reja për të adresuar këto sfida të cilat kërkojnë përpjekje nga qeveritë, jo vetëm institucionale dhe në kuadrin politikë-bërës dhe ligjbërës, por edhe angazhim financiar të gjithë qeverive.”

Pavarësisht fakteve të qarta dhe paralajmërimeve të shkencëtarëve, njerëzimi po vijon të bindë veten se ka nën kontroll natyrën.

“Në qoftë se në fillim të shekullit të kaluar përdoret vetëm njëzet elementet kimike të tabelës periodike, në kohën tonë - më shumë se nëntëdhjetë. Gjatë katër dekadave të fundit ka rritur konsumin e burimeve në njëzet e pesë herë, dhe shuma e mbeturinave të prodhuara - njëqind herë”, shprehet.

Kjo video e animuar tregon modelin aktual ekonomik në pjesën më të madhe të botës, përfshirë Shqipërinë... E reja që dëbon të vjetrën me këtë të fundit që i mbivendoset njëra-tjetrës duke gllabëruar hapësira.

Ndërsa ky është modeli i ri ekonomik ku vlera e produkteve, materialeve dhe burimeve mbahet në ekonomi për sa më shumë kohë të jetë e mundur dhe gjenerimi i humbjeve minimizohet.

Ajo funksionon mbi bazën e tri parimeve kryesore: Ruajtja dhe forcimi i kapitalit natyror; Optimizimi i produktivitetit të burimeve; Rritja e efektivitetit të sistemit. Këto tre parime mund të përkthehen në gjashtë aksione që ndërmerren nga bizneset: Rigjenero, Ndaj, Optimizo, Riciklo, Virtualizo dhe Shkëmbe.

Përqafimi i modelit të ekonomisë qarkulluese është një ndër kapitujt që sipas Komisionit Europian, Shqipëria duhet të punojë më shpejt e më fort.

“Shqipëria duhet promovojë ekonominë qarkulluese dhe duhet të stimulojë parandalimin, reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve me qëllim uljen e numrit të vend-depozitimeve. Legjislacioni për diferencimin e mbetjeve në burim duhet të përshpejtohet. Roli i zbatimit dhe i kontrollit të përputhshmërisë nga institucionet duhet të qartësohen dhe forcohet, me personel dhe buxhet të përshtatshëm,” Komisioni Europian.

Me çeljen e negociatave tanimë ky do të jetë një detyrim. Ndaj, për dy ditë me radhë, në Fakultetin e Ekonomisë u zhvillua konferenca më e madhe e rajonit të Europës Qendrore mbi Ekonominë Qarkulluese. Në të morën pjesë fizikisht dhe “online” drejtues e përfaqësues nga 12 universitete, përfshirë atë të Ukrainës e Bosnje-Hercegovinës.

Ndërsa ndërgjegjësimi me anë të edukimit shihet si një ndër sfidat kryesore.

Ndaj lipset nevoja emergjente jo vetëm për të hartuar politika, por për të ngritur instrumente që garantojnë zbatimin e tyre.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, për të krijuar një model të ri ekonomik, Shqipëria duhet të investojë te të rinjtë, me qëllim krijimin e burimeve njerëzore të përshtatshme me sistemin e avancuar ekonomik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos