“Drejtësia e re”, Dervishi: S’ka ende “dhëmbët e duhur për të kafshuar mishin e fortë” të rasteve të bujshme

Nga A2 CNN
23 Korrik 2021, 20:51 | Aktualitet
“Drejtësia e re”, Dervishi: S’ka ende

5 vite nga miratimi i reformës në drejtësi, e cila u mori votën të gjithë deputetëve në sallën e Kuvendit në vitin 2016, rezultatet duket se janë të vështira për t’u komentuar dhe për t’u krahasuar me pritshmëritë.

Kjo duket se e ka ndarë publikun në optimiste dhe pesimiste. Optimistët shohin si sinjale pozitive aktivitetin e zhvilluar së fundmi nga SPAK, ndërsa pesimistët duket se po matin kohën dhe përmendin gjithnjë pritshmëritë për këtë reformë.

Për këtë çështje foli në Ditarin e mbrëmjes në A2 analisti Lutfi Dervishi. “Mund të flitet për 3 faza. Faza e parë është ajo e hedhjes së bazës ligjore dhe institucionale që u mbyll në vitin 2020. Faza e dytë, siç u cilësua e konsolidimit të institucioneve dhe faza e tretë kur qytetarët do të ndjejnë atë shërbim të cilësive europiane. Duke e thënë këtë gjë duhet të kujtojmë që po flasim për një pushtet gjyqësor të ri të riformatuar. Duhet thënë se pas 5 vitesh ne kemi gati gjysmën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të kenë kaluar vettingun.

https://a2news.com/2021/07/23/dosjet-e-zyrtareve-te-larte-arben-kraja-spak-do-ti-shkoje-deri-ne-fund-hetimeve/

Do të jetë një rrugë me dy korsi. Nga njëra anë duket një rrugë e shtruar dhe në anën tjetër është një terren jo fort i rrahur. Nëse do të ecet me këto ritme të vettingut priten vështirësi në organikën për prokurorët. Pjesa e plotë e gotës janë shenjat e para të SPAK të vendimeve të para të Kushtetueses, është thyer cikli i pandëshkueshmërisë. Ndoshta jo deri te pritshmëritë e qytetarëve, por sot kemi parë prokurorë dhe gjyqtarë dhe zyrtarë nën akuzë dhe të ndaluar”, u shpreh Dervishi.

Më tej, Dervishi theksoi se institucionet e reja ende nuk janë gati për dosjet e bujshme. “Publiku e ndjen më mirë drejtësinë në çështjet e veta. Ajo që kërkon publiku është një sistem gjyqësor që ta ndjejë, që pavarësisht vendimit, ta ndjejë që është dhënë drejtësi. Për këtë jemi shumë larg dhe ndoshta nuk duhet të jemi shumë optimist për këtë ditë. Nëse në Gjykatën e Lartë janë ende mbi 30 mijë dosje të pashqyrtuara, kjo tregon se drejtësia nuk është dhënë dhe drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar.

Sa i përket dosjeve të bujshme, po, kjo është një kërkesë konstante që kërkohet thyerja e ciklit të pandëshkueshmërisë. Duhet të kuptojmë se institucionet e reja nuk janë ende me dhëmbët e duhur për të kafshuar mishin e fortë të rasteve të bujshme. Procesi i konsodilimit të këtyre institucioneve do të marrë kohën e vetë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos