
Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka mohuar lajmet se vaksinimi kundër koronavirusit do të bëhet i detyrueshëm për mësuesit dhe stafet ndihmëse.
Përmes një reagimi zyrtar Drejtoria e Arsimit Parauniversitar bën me dije se është bërë një keqinterpretim i kërkesave për informacion në zyrat arsimore për të mësuar numrin e mësuesve që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.
Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar
Në lidhje me njoftimet e shpërndara ditën e sotme në disa portale, sa i takon vaksinimit me detyrim të punonjësve mësimorë dhe stafeve ndihmëse, sqarojmë se nuk ekziston asnjë vendim për vaksinim me detyrim.
Kemi të bëjmë me një keqinterpretim të kërkesave për informacion rutinë në zyrat dhe institucionet arsimore, për numrin e mësuesve të cilët janë duke vijuar procesin e vaksinimit me dozën e dytë.
Procesi i vaksinimit është rekomandim i ekspertëve të shëndetësisë për t'u mbrojtur nga COVID-19, por në asnjë rast nuk është i detyrueshëm për asnjë punonjës mësimor apo staf ndihmës në Institucionet Arsimore. (A2 Televizion)