Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, thotë se agjencia që ai drejton beson se Covid-19 “me shumë gjasa” ka dalë nga “një laborator i kontrolluar nga qeveria kineze”.
“Prej disa kohësh tashmë, FBI-ja ka vlerësuar se origjina e pandemisë është me shumë gjasa nga një incident i mundshëm në laborator”, tha ai për Fox News. Kjo është hera e parë që FBI-ja konfirmon publikisht mendimin e klasifikuar të agjencisë mbi prejardhjen e koronavirusit që shkaktoi miliona të vdekur në mbarë botën nga viti 2020.
Këto pretendime janë hedhur poshtë më parë nga Kina, e cila akuzat se virusi ka dalë nga laboratori i virologjisë në Wuhan i ka quajtur gjithmonë shpifje. Deklarata e shefit të FBI-së u bë një ditë pasi ambasadori amerikan në Kinë i bëri thirrje vendit të tregohet më i ndershëm rreth origjinës së Covid-19.
Në intervistën e tij të martën, Wary tha se Kina ishte përpjekur në maksimum për të penguar përpjekjet rreth identifikimit të burimit të pandemisë. “Dhe kjo është fatkeqësi për të gjithë”, tha ai.
Disa studime kanë dalë në përfundimin se virusi ka dalë nga tregu i peshkut në Wuhan të Kinës, i njëjti qytet ku ndodhet edhe laboratori i shumëdiskutuar i virologjisë. Tregu ndodhet vetëm 40 minuta me makinë larg laboratorit, në të cilin zhvillohen kërkime rreth koronaviruseve.

I menjëhershëm reagimi I Pekinit që e akuzoi Uashingtonin për manipulim. “Kina kundërshton ashpër çdo formë të manipulimit politik mbi çështjen e origjinës së virusit. Ne i bëjmë thirrje SHBA të respektojë shkencën dhe faktet duke ndalur politizimin e çështjes”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme.
Agjenci të tjera qeveritare në SHBA kanë arritur në konkluzione të ndryshme lidhur me çështjen; edhe pse shkalla e sigurisë varion. Disa prej tyre kanë thënë, edhe pse me nivel të ulët sigurie, se virusi nuk doli nga laboratori por kaloi nga kafshët te njerëzit. Kjo shtyu Shtëpinë e Bardhë të thotë se nuk ka konsensus mbi origjinën e virusit në qeverinë amerikane.
Sakaq, një hetim i Kinës me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2021 e cilësoi teorinë e rrjedhjes nga laboratori, thuajse të pamundur. Megjithatë, hetimi i OBSH u kritikua ashpër dhe që atëherë drejtori i saj, Tedros Adanom Grebrejesus, ka kërkuar një hetim të ri. (A2 Televizion)