Dronë, postblloqe dhe ushtri në rrugët e Italisë, plani anti-Covid për Krishtlindje

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2020, 11:08 | Bota
Dronë, postblloqe dhe ushtri në rrugët e Italisë, plani

Italia vijon të jetë një nga vendet më të goditura edhe në valën e dytë të pandemisë së koronavirusit, e ndaj autoritetet i frikësohen një përkeqësimi të mëtejshëm të situatës gjatë ditëve të pushimit të festës së Krishtlindjes, ku zakonisht, në kohë normale, ndodhin dhe grumbullime të mëdha njerëzish, duke filluar që nga Mesha.

Për këtë arsye, autoritetet kanë përgatitur një plan të zgjeruar masash për të parandaluar lëvizjet e mëdha të njerëzve, ku parashikohen dronë, postblloqe dhe ushtri në rrugët kryesore të Italisë.

Kryeministri Conte prej ditësh iu ka bërë thirrje italianëve që këto Krishtlindje t’i kalojnë të qeta, me grumbullime të vogla dhe darka familjare për të kontribuar në këtë mënyrë në uljen e përhapjes së virusit.

Por, përveç thirrjeve tashmë ka dhe një plan konkret. “Provat e përgjithshme” forcat e sigurisë i kryen gjatë Pashkës, në periudhën e izolimit total. Dhe sistemi pritet të jetë i njëjtë, ku parashikohen pika kontrolli në akset kryesore të vendit, aeroporte, hekurudha, si dhe dronë në sheshet e qyteteve të mëdha.

Ministria e Brendshme u ka dërguar direktivat të gjithë prefektëve, të cilët do të kenë mbështetje te një Task Forcë e përbashkët e përbërë nga karabinierët, policia, Guardia di Finanzia, të cilëve do iu bashkohet edhe ushtria, për të siguruar operacionit “Rrugë të sigurta”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos