
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke folur ekskluzivisht për A2 CNN, u shpreh se Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, është rrëmbyer në mes të qytetit dhe autoritetet nuk kanë dhënë arsye.
“Ajo që ka ndodhur është përtej absurdes. Një kandidat i “Bashkë Fitojmë” është shoqëruar në kushtet e një rrëmbimi të mirëfilltë dhe pengmarrjeje. Ka qenë me avokatin e tij në qendër të qytetit dhe është rrëmbyer e është dërguar në Komisariatin e Vlorës. Ende nuk ka informacion zyrtar nga autoritetet pse është shoqëruar ky kandidat për kryebashkiak. Nga informacionet që kemi pasur, nuk ishte informuar as vetë zoti Beleri për arsyen pse është shoqëruar dhe as nuk është pyetur”, tha Dule.
“Të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur javët e shkuara nga sjellja dhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, tregojnë se ky ishte kulmi i retorikës së tij agresive ndaj zotit Beleri. Është fakt që me aktivitetin e tij, Beleri ka prekur interesa okulte dhe të rëndësishme për sektin e kryeministrit në bregun e Jonit”, shtoi Dule. (A2 Televizion)