
Në “Debat” nga Alba Alishani, Belind Këlliçi, nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet lokale të 14 majit, foli edhe për çështjen e parkimit të automjeteve në kryeqytet. Ai u shpreh se për të zgjidhur këtë problem në Tiranë, do të lejojë pa pagesë 30 përqind të vendeve aktuale të parkimit me pagesë. Këlliçi theksoi se do të shfrytëzojë nëntokën për parkingje.
“30% të vendeve të parkimit që janë aktualisht me pagesë, unë do t’i dedikoj falas për komunitetin. Kjo është 100% e realizueshme.
Nga ana tjetër, gjoba e Policisë Bashkiake është 30 mijë lekë, ku dita mesatare e punës në Tiranë është më pak se 30 mijë lekë. Duhet të ketë patjetër një masë propocionaliteti. Si mund ta nisësh ditën në mëngjes me një gjobë te xhami i makinës se nuk ke vendparkimi dhe ke parkuar gabim dhe të punosh gjithë ditën për të paguar gjobën.
Unë do të tentoj të zhvilloj nëntokën e Tiranës. Për mua, nëntoka e Tiranës është një aset i jashtëzakonshëm. Unë kam marrë kontakt me urbanistë, me inxhinierë ndërtimi, me arkitektë, të cilët më thonë se kostoja e ndërtimit mbi tokë dhe nën tokë është e njëjtë”, tha Këlliçi. (A2 Televizion)