Grida Duma mbetet gjithmonë një nga personazhet më interesante të skenës opozitare, dhe artikulimi i saj është mjaft i qartë për krizën e politikës shqiptare. E ftuar në A2, Duma analizon hapat e mëtejshme të Partisë Demokratike, që do të kulmojnë në protestën e të shtunës në Tiranë. Për Dumën , ”protesta do të jetë më e gjatë dhe e qëndrueshme, pjesë e rrugëtimit që kemi nisur për një qëllim final, që është qeveria transitore, e cila do të siguroj padyshim zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Qasja e lidershipit opozitar ka marrë kritika të forta jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Për disa radikalizmi i tyre shënon një krizë të brendshme dhe mungesë alternative, por Duma e mohon këtë gjë, madje deklaron se “ nuk ka patur një moment më të lartë në frymëzim për strukturat e PD”. “Partia Demokratike që bën sakrifica ekstreme, merr masa radikale, tregon qartazi se është forcë politike që nuk mbetet brenda skemës. Çdo forcë politike që qëndron brenda skemës dhe që mbahet me llafollogji, është ajo që është në krizë”, vijon Duma. Ajo pohon se lëvizja mund të kishte qenë, në kushte të tjera, “më e qëndrueshme dhe racionale”, por se lëvizja radikale e mandateve i përgjigjej një qeverisje po aq arrogante ku kryeministri ka kapur tashmë gjithë hallkat institucionale, nga “kryeprokurorja e përkohshme që u bë e përhershme”, deri tek Vettingu. Opozita po përgatitet, dhe 16 marsi do të jetë prova madhore. “Rama do të rezistojë, dhe kjo është normale sepse secili në politikë ka lëvizjet e tij të shahut, por është e sigurt që kjo ngjarje do të përshkallëzohet”. Protesta e opozitës për Dumën “ nuk mund të ketë trajta monotone, por trajta eskalacioni dhe rritëse. Është e sigurt që nuk mund të bëhen zgjedhje pa opozitën e vendit, nuk mund të vazhdojë realiteti kaq i paqtë në vend në momentin që ke marrë vendime kaq radikale. Objektivi madhor janë zgjedhjet e parakohshme? Duma e mohon, sepse “ato nuk janë detyrim, janë pjesë e dialogut. Ne kemi kërkuar detyrimisht vetëm qeverinë tranzitore, pa Edi Ramën”. (A2 Televizion)
Duma: PD në krizë? Nuk ka patur një moment më të lartë në frymëzim për strukturat e PD
