
Hetimi i nisur nga Prokuroria e Tiranës pas plagosjes me plumb gome në sy të protestuesit Erion Vishkulli, ka çuar hetuesit tek Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Burime pranë prokurorisë bënë me dije se gjatë së hënës, oficerët e policisë gjyqësore kanë kwqyrur armatimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, për të verifikuar armët dhe municionet e përdorura prej efektivëve gjatë protestës.
Për llogari të hetimit, Prokuroria ka administruar pamjet e kamerave të sigurisë të Bankës së Shqipërisë të ditës së ngjarjes, për shkak se në momentin e lëndimit 28-vjeçari Vishkulli ndodhej pranë godinës së bankës dhe në rrezen e mbulimit të tyre.
Në të njëjtën zonë janë sekuestruar disa gëzhoja, si ato të plumbave të gomës, të cilat do ti nënshtrohen edhe ekzaminimeve të mëtejshme balistike. Nga ana tjetër, prokurorët e kryeqytetit kanë sekuestruar kartelën mjekësore të Vishkullit në Spitalin e Traumës, si edhe kanë nisur një letër porosi drejt Italisë, ku 28-vjeçari është dërguar për ndihmë të specializuar mjekësore.
Përmes saj, prokuroria kërkon nga autoritetet italiane t’i përcjellin kartelën mjekësore të Vishkullit, si edhe t’i venë në dispozicion plumbin e gomës, pas nxjerrjes nga trupi i të riut. Në kuadër të hetimit, prokuroria ka administruar gati 20 kartela mjekësore të protestuesve të tjerë të plagosur gjatë ditëve të protestës së studentëve. (A2 Televizion)