Demokratët edhe këtë të martë refuzuan të bëhen pjesë e normalitetit parlamentar në komisione. Pak prej tyre u paraqitën vetëm për të mbajtur qëndrimet në emër të opozitës, duke akuzuar për dhunë ndaj protestuesve. Në Komisionin e Ligjeve, Oerd Bylykbashi paralajmëroi këdo që abuzon me uniformën policore.
Oerd Bylykbashi: “Sot prokuroria duhet të fillonte hetimin e gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit. Kjo nuk do të kalojë pa pasoja. Të gjithë do të përgjigjen një për një, me koston e spastrimit të plotë nga këta individë që përdorin dhunën. Si në kohën e sambistave të komunizmit”.
Ulsi Manja: “Selia e PD-së, seli dhune. Kemi një jetë që merremi me atë seli. Nuk presin qytetarët që t’ia qajë hallin ajo seli”.
Oerd Bylykbashi: "Provoni, shkoni takojini në shesh".
Ulsi Manja: "Vazhdoni shikoni ëndrra, por kur të dilni te Lana, vishuni me plasmas".
Të njëjtat qëndrime u mbajtën edhe në komisionet e tjera, ku u kërkua të thirrej ministri i Brendshëm në dëgjesë. “Ministri është i gatshëm dhe do të vijë, por jeni ju që nuk doni”, iu përgjigj Ardit Bido kërkesës së Jorida Tabakut.
Teksa demokratët largoheshin nga komisionet, mazhoranca vazhdoi e vetme me miratimin e një serie projektligjesh, pjesë e procesit të negociatave me BE-në. (A2 Televizion)