Një në tre lekë që do të shpenzohen vitin e ardhshëm do të shkojnë për “mbrojtjen sociale”. Nga mbi 10 miliardë euro në total që përllogaritet buxheti i vitit 2027, rreth 315 milionë euro do të shkojnë për kategori të cilat kanë nevojë për “dorën e shtetit”.
“Ka disa dukuri që po e vënë buxhetin në krizë dhe besoj se në të ardhmen do të bëhen edhe më të forta. Fakti që popullsia po plaket, numri i të moshuarave ka arritur në 700 mijë, rreth 12-14 mijë pensionistë i shtohen skemës. Vazhdimisht, buxheti është i kërcënuar për të financuar mbrojtjen sociale”, thotë për A2 CNN Zana Guxholli eksperte ekonomie.

Fondi prej rreth 3.4 miliardë euro, vitin e ardhshëm, pritet të shkojë për rritjen e pensioneve, pagesën e ndihmës ekonomike apo papunësisë. Gjithashtu, një pjesë e parave do të shkojnë për vijimin e financimit të programit të “Bonusit të Bebes” tashmë me pagesa mujore.
“Ne e dimë që kemi rreth 40 për qind të popullsisë në varfëri dhe ato duhet të ndihmohen që të dalin nga aty. Po mbështetja më e mirë nuk është rritja e ndihmës ekonomike, por forcimi i ekonomisë në përgjithësi”, shprehet për A2 CNN sociologia Eris Dhamo.

Po a e bën kjo mbështetje projektbuxhetin 2027 të cilësohet si social dhe ndryshe nga vitet e shkuara?
“Madhësia e këtij buxheti është e pamjaftueshme. Edhe në vendet ku pensionet në vendet ku pensionet janë më të mëdha, sërish ato mbeten të pamjaftueshme”, shton Guxholli.
“Kriza e çmimeve është ende nëpër këmbë. Të gjithë po bëhen më të varfër. Për mua nuk është se qeveria nuk ka mundësi, thjesht ajo nuk e ka vëmendjen këtu”, vijon Dhamo.
Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të shpenzimeve në drejtim të mbrojtjes sociale në raport me totalin në Ballkanin Perëndimor. Kjo për shkak të nivelit të lartë të varfërisë, e cila u zgjerua edhe më shumë nga kriza e çmimeve. (A2 Televizion)