
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë shpreh shqetësimin e saj për masat fiskale të paralajmëruara për vitin 2027 dhe për mungesën e konsultimit me komunitetin e biznesit.
Në një deklaratë për mediat Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat tatimore dhe hapjen e menjëhershme të dialogut institucional.
Një paketë e hartuar pa biznesin
Më 9 tetor 2026, DHTI-Tiranë u paraqiti zyrtarisht Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit propozimet e komunitetit të biznesit për Paketën Fiskale 2027. Propozimet synonin lehtësimin e barrës për bizneset prodhuese dhe eksportuese, nxitjen e investimeve dhe të inovacionit, si dhe përafrimin me standardet e BE-së. Ato nuk janë marrë parasysh dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Ndërkohë, përmbajtjen e paketës së re fiskale biznesi po e mëson nga mediat. Paketa nuk është paraqitur zyrtarisht dhe nuk është zhvilluar asnjë takim konsultues me organizatat e biznesit.
Çfarë tregojnë shifrat deri tani
Shifrat e mëposhtme janë vlerësime të Ministrisë së Financave, të raportuara në media, dhe mund të ndryshojnë me publikimin zyrtar të paketës. Sipas këtyre vlerësimeve:
rritja e tatimit mbi fitimin sjell rreth 5 miliardë lekë;
rritja e tatimit mbi dividendin sjell rreth 3 miliardë lekë;
ulja e pragut të TVSH-së sjell rreth 4,5 miliardë lekë;
rritja e TVSH-së standarde sjell rreth 10,6 miliardë lekë;
rritja e TVSH-së për turizmin sjell rreth 0,6 miliardë lekë;
ulja e TVSH-së për ushqimet kushton rreth 12,8 miliardë lekë.
Efekti neto është mbi 10 miliardë lekë të ardhura shtesë në vit, pjesa më e madhe e të cilave do të paguhej nga biznesi. Për ndryshimet në tatimin mbi pagat nuk është bërë publik asnjë vlerësim.
Kjo paketë vjen në momentin më të gabuar. Karburantet po shtrenjtohen, kostot e prodhimit mbeten të larta dhe rënia e euros po gërryen të ardhurat e eksportuesve dhe të turizmit. Ekonomia ka nevojë për një paketë fiskale nxitëse, jo për barrë të re.
1. TVSH 6% për ushqimet bazë: po, por pa e paguar konsumatori
E mirëpresim masën. Shqipëria ka 30 vjet që aplikon TVSH dhe ushqimet bazë tatoheshin njësoj si çdo mall tjetër. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia e kanë këtë lehtësim prej më shumë se dy dekadash.
Lista e produkteve duhet të jetë e qartë dhe e qëndrueshme, jo në diskrecion të një vendimi të Këshillit të Ministrave, dhe duhet të përfshijë edhe produktet e përpunimit vendas.
Prodhuesit do t’i blejnë inputet me 21% dhe do t’i shesin produktet me 6%, ndaj kanë nevojë për garanci që TVSH-ja do t’u rimbursohet shpejt.
2. TVSH standarde 21%: lehtësim për bukën, rritje për gjithçka tjetër
Rritja nuk nevojitet për balancim. Sipas shifrave të vetë Ministrisë, paketa mbetet pozitive për buxhetin edhe pa të.
Lehtësimi prek vetëm një listë ushqimesh. Rritja prek karburantin, energjinë, transportin, veshjet, produktet e higjienës, materialet shkollore dhe ndërtimin.
Sipas FMN-së, rritjet e normës standarde kalojnë pothuajse plotësisht në çmime, ndërsa uljet e normave të reduktuara kalojnë vetëm pjesërisht. Vetë Ministria e pranon këtë në rastin e turizmit.
Rritja shkruhet në ligj dhe është e përhershme, ndërsa lista e ushqimeve me 6% mund të ngushtohet në çdo kohë me vendim qeverie.
Me 21%, Shqipëria do të kishte TVSH-në më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Restorantet tona do të tatoheshin më shumë se në çdo vend konkurrent të rajonit.
3. Tatimi mbi fitimin 17%: humbja e një avantazhi konkurrues
Norma 15% është minimumi global i miratuar nga OECD, një avantazh i ligjshëm që nuk ka asnjë arsye ta humbasim.
Me 17%, Shqipëria do të kishte tatimin mbi fitimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Kosova, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut aplikojnë 10%, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi deri në 15%.
Krahasimi me BE-në nuk qëndron, sepse vendet e BE-së ofrojnë njëkohësisht stimuj të gjerë për investime dhe inovacion, që në Shqipëri mungojnë.
Masa godet vetëm bizneset e formalizuara dhe ato që rriten. Studimet ndërkombëtare tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e kësaj barre bie mbi pagat e punonjësve.
Tatimi mbi fitimin është rritur nga 10% në 15% në vitin 2014. Ndryshimet e shpeshta janë sinjali më negativ për investitorët.
4. Tatimi mbi dividendin 15%: ndëshkim i kapitalit vendas
Fitimi i shpërndarë tatohet dy herë, një herë si fitim dhe një herë si dividend. Me propozimin, barra totale mbi të rritet nga rreth 22% në rreth 29,5%, më e larta në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Malin e Zi që Ministria i citon si shembull.
Nuk ka evidencë që kjo nxit riinvestimin. Përkundrazi, e bllokon kapitalin, në një vend ku fitimi i një biznesi është shpesh burimi kryesor për hapjen e një biznesi të ri.
Vetë Ministria pret që baza të tkurret përgjysmë, pra pranon që masa nxit shmangien, jo riinvestimin.
Nëse synimi është riinvestimi, ai duhet shpërblyer drejtpërdrejt përmes amortizimit të përshpejtuar dhe stimujve për inovacionin, siç ka propozuar DHTI-Tiranë.
5. TVSH për turizmin 10%: stimuli që i hiqet turizmit duhet t’i jepet një sektori tjetër
Nëse lehtësimi i vitit 2017 e arriti qëllimin, ai duhet t’i kalojë një sektori tjetër që ka nevojë për mbështetje, si agropërpunimi apo prodhimi, dhe jo të kthehet në taksë.
Turizmi përballet sot me rënien e euros, ndërsa kontratat për sezonin 2027 janë duke u nënshkruar me çmime fikse.
Agroturizmi është instrument i zhvillimit rural dhe duhet të mbetet në 6%.
6. Pragu i TVSH-së në 5 milionë lekë: një eksperiment i provuar që përsëritet
Pragu u ul në vitin 2018, dhe në vitin 2021 vetë qeveria e ktheu në 10 milionë lekë.
Bizneset me qarkullim 5–10 milionë lekë që kanë interes mund të regjistrohen vullnetarisht që sot. Ato që mbeten jashtë janë kryesisht dyqane, zejtarë dhe shërbime të lagjes, shumë prej të cilave fitojnë sa një pagë mesatare. Për to, TVSH-ja do të thotë çmime më të larta për familjet dhe kosto të reja administrimi.
I njëjti biznes konsiderohet “i vogël” dhe përjashtohet nga tatimi mbi fitimin deri në 14 milionë lekë, por “mjaftueshëm i madh” për TVSH-në.
Në vend që të nxisë formalizimin, masa rrezikon ta shtyjë biznesin e vogël drejt informalitetit.
7. Efekti i grumbulluar
Të gjitha masat do të hynin në fuqi njëkohësisht më 1 janar 2027, me pak javë kohë për përgatitje dhe pa periudha kalimtare. I njëjti biznes do të përballej në të njëjtin vit me më shumë tatim mbi fitimin, mbi dividendin dhe mbi konsumin.
Çfarë kërkon DHTI-Tiranë
Pezullimin e ndryshimeve që rrisin normat tatimore, deri në përfundimin e një konsultimi real me biznesin.
Publikimin zyrtar të paketës, së bashku me analizën e plotë të ndikimit të çdo mase.
Hapjen e menjëhershme të dialogut institucional me dhomat dhe shoqatat e biznesit.
Ruajtjen e normave aktuale të tatimit mbi fitimin, të TVSH-së standarde dhe të pragut të TVSH-së, si dhe rishikimin e propozimeve për dividendin dhe turizmin.
Miratimin e instrumenteve që nxitin drejtpërdrejt investimin: amortizimin e përshpejtuar, stimujt për kërkimin dhe inovacionin, dhe mbështetjen për standardet e BE-së.
Një përgjigje institucionale për propozimet e DHTI-Tiranë të 9 tetorit 2026.
DHTI-Tiranë nuk është kundër reformës fiskale. Ne e kemi treguar këtë me propozime konkrete. Por asnjë reformë nuk është e qëndrueshme nëse ndërtohet pa biznesin dhe kundër konkurrueshmërisë së tij. (A2 Televizion)